140 faqe është vendimi i zbardhur i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin Saimir Tahiri, të cilin e ka siguruar dhe Fax News.
Në vendimin voluminoz të Gjykatës, është evidentuar marrëdhënia shumë e shpeshtë që Saimir Tahiri ka pasur me anëtarët e gupit Habilaj, me në krye Moisi Habilajn.
Gjykata shprehet se Tahiri pavarësisht marrëdhënies me anëtarët e grupit Tahiri, nuk ka prova që ta implikojnë direkt në trafikun ndërkombëtar të drogës, për të cilën ai akuzohej.
Tahiri ka rënë pre e gënjeshtrave, pasi më herët në dalje të tij publike, ish-ministri kishte deklaruar se nuk kishte njohje ne Moisi dhe Florian Habilajn.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se Tahiri kishte pranuar vetëm marrëdhënien me Artan Habilajn, të cilit i ka shitur audin e famshëm, që më pas do e përdorte sërish së bashku me bashkëshorten e tij.
Gjykata deklaron se ka qenë xhaxhai i Saimir Tahirit ai që ka krijuar urën lidhëse mes ish-ministrit dhe grupit kriminal Habilaj.
Një tjetër pikë që e ka shpëtuar Tahirin nga dënimi për grup kriminal, është fakti që nuk është e provuar që dhuratat e blera nga Habilajt në Itali, nuk i janë gjetur as ish-ministrit dhe as familjarëve të tij.
“Nuk janë konfirmuar nga dëshmia e pronarëve në dyqanet e bizhuterive dhe rrobave. Në hetimin paraprak nuk është sekuestruar shumë e deklaruar, nuk është identifkuar asnjë pasuri e pajustifikuar e Tahirit. Riela flet për shoqërimin e M. Habilaj në një dyqan bizhuterish, italiani nuk deklaron për kë ishin destinuar bizhuteritë.
Riela flet për një person të rëndësishëm në Shqipëri, por nuk pohon në asnjë moment emrin. Antonio Rielës iu dha foto e Tahirit, tha se nuk e njihte. Nuk mbështetet pretendimi se Tahiri mbron Moisi Habilaj.
Nuk vërtetohet se Tahiri është pjesëmarrës i grupit kriminal, në këto kushte ndryshojmë cilësimin e veprës penale. Nga trafikim narkotikësh akuzohet për ‘Shpërdorim detyre, nuk provohet që Tahiri është përfshirë në grupit kriminal”, citohet në mënyrë të përmbledhur vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Dënimi u mor vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa ranë akuzat e trafikut të drogës në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal, mbi të cilat prokuroria kishte kërkuar që Tahiri të dënohej me 12 vite burg.
“Pikërisht, pasojat që gjykata evidentoi këtu janë konkretizimi i rrezikshmërisë shoqërore të mosveprimit me dashje në kundërshtim me ligjin të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, për të cilat ata ngarkohen me përgjegjësi penale sipas nenit 248 të K. Penal.
Gjithashtu, meqenëse vepra penale e “Grupit të strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 33/a paragrafi i dytë të K. Penal, është vepër penale më vete për të cilën akuzohet i pandehuri Saimir Tahiri, gjykata, ndodhur në kushteve e përmendura më sipër, vlerëson se nuk provohet që i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, prandaj bazuar në nenin 388, pika 1, germa “d” të K. Penal, duhet ta deklarojë atë të pafajshëm”, thuhet mes të tjerash në vendimin e gjykatës.
Gjykata ka komentuar dhe përgjimet që flisnin për shefin e madh:
“Në lidhje me dy përgjimet telefonike mes të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe vëllezërve të tij Artan dhe Florian habilaj, ku flitet për “shefin e madh” (datë 16.10.2013 dhe 23.11.203) konstatohet se në këto dy përgjime nuk përmenden emra.
Vetëm ky fakt, në komunikimet e personave që merren në mënyrë të vazhdueshme me veprimtari të paligjshme dhe që janë në dijeni të rrezikut të ndjekjes nga autoritetet gjyqësore, në vetvete nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për të konkluduar se nuk identifikohet personi apo rrethanat për të cilat flitet. Por krahas faktit që nuk përmendet ndodnjë emër, këto biseda të përgjuara nuk gjenden të vendosura në një kontekst të qartë dhe të kuptushëm në mënyrë që nga përmbajtja e tyre të nxirret/identifikohet personi për të cilin flitet.
Për më tepër nga vetë përmbjatja e bisedës së parë nuk arrihet t ëkuptohet qartë nëse bëhet fjalë për ndonjë aktivitet tjetër apo për lojrat e fatit që përmenden aty. Për pasojë, këto dy përgjime në vlerësimin e gjykatës, nuk arrijnë të mbështetin supozimin se “shefi i madh” që përmndet aty, është i pandehuri Saimir Tahiri”.
(E.K/Faxweb.al)