Reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor, duke lënë 150 mijë dosje të bllokuara dhe qytetarët pa mundësi për të marrë drejtësi. Erisa Xhixho, përfaqësuese e shoqërisë civile, theksoi se ky stok i madh i dosjeve tregon se sistemi gjyqësor ka ngecur dhe nuk është në gjendje të ofrojë shërbimin e nevojshëm për qytetarët.
Sipas të dhënave, rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë të bllokuara përtej afateve ligjore, dhe për të shqyrtuar një dosje tani kërkohet katërfishimi i kohës që ishte e nevojshme para reformës. Gjyqësori është ende me çështjet e vitit 2016, duke bërë që shumë qytetarë të mos e marrin kurrë drejtësinë që meritojnë.
Në gjykatat e shkallës së parë, qytetarët duhen të presin të paktën dy vjet për një proces, ndërsa në Apel dhe Gjykatën e Lartë, afatet arrijnë deri në 9 vjet, duke e çuar totalin e një procesi në minimum 12 vjet. Sipas Xhixhos, kjo ka një kosto të jashtëzakonshme për qytetarët dhe bizneset, që po përballen me një drejtësi të vonuar dhe të pamundur.