Buxheti ka arkëtuar 257.9 miliardë lekë në pesë muajt e parë të këtij viti, me një rritje prej 10.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Ministrisë së Financave.
Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në raport me 4 mujorin, kur zgjerimi ishte 10.2%. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave në maj, ku u arkëtuan 50.8 miliardë lekë, ose 12.3% më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë. Në prill zgjerimi kishte qenë minimal prej 5.3% (ecuri reale negative nëse indeksohej me inflacionin dhe rritjen ekonomike).
Tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale vijojnë të mbajnë peshën kryesore në zgjerimin e të ardhurave buxhetore. Të ardhurat nga tatim fitimi u rritën rekord prej gati 41%, të ndikuara dhe nga tatim fitimi i jashtëzakonshëm për kompanitë e prodhimit të energjisë.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Financave, Të ardhurat totale për 5 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 102 % të planit të të njëjtës periudhë.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 5 – mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 221.7 miliard LEK me një realizim në 90 përqind të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë +3.5 përqind më të larta ose rreth +7.6 miliard LEK më shumë.
Niveli i sufiçitit për periudhën 5 – mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 36.2 miliard LEK nga rreth 7 miliard lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 19 miliard LEK. MONITOR
Discussion about this post