Të paktën 16 persona kanë vdekur dhe 36 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një stuhi e papritur shiu në Kinën perëndimore shkaktoi një rrëshqitje dheu që devijoi një lumë dhe shkaktoi përmbytje të menjëhershme në zonat e populluara, tha të enjten media shtetërore kineze.
Ekipet e shpëtimit kanë gjetur dy persona të tjerë të raportuar të zhdukur më herët dhe po kërkonin të tjerët, shkruajnë mediat e huaja. Fatkeqësia e së mërkurës mbrëma preku më shumë se 6,000 njerëz në gjashtë fshatra në provincën Qinghai.
Kina po përballet me shira të dendur dhe përmbytje në disa pjesë të vendit këtë verë dhe nxehtësi ekstreme dhe thatësirë në rajone të tjera. Media shtetërore e ka përshkruar nxehtësinë dhe thatësirën si më të këqijat që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave 60 vjet më parë.
Autoritetet e urgjencës e përshkruan përmbytjen e shpejtë në qarkun Datong të Qinghai si një “përrua malor”. Përrenj të tillë në përgjithësi vijnë nga stuhitë e mëdha në zonat malore. Uji që rrjedh poshtë malit mund t’i kthejë gropat ose përrenjtë në lumenj të furishëm, duke i zënë njerëzit në befasi.
Discussion about this post