Kuvendi miratoi mbrëmjen e së enjtes projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Rezervist në Republikën e Shqipërisë” me 74 vota pro dhe 6 abstenime.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi sot se, me miratimin e këtij pr/ligji u hodh një hap shumë i rëndësishëm në misionin që Qeveria Shqiptare ka për të rritur kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe për t’i bërë ato më efikase në raste emergjencash.
Vengu falënderoi të gjithë deputetët që votuan në seancën plenare pro krijimit të komponentit të rezervistëve.
“Ky është një hap i rëndësishëm dhe një lajm pozitiv për të gjithë shqiptarët, pasi me këtë vendim u japim oficerëve dhe nënoficerëve të liruar, por edhe civilëve, një alternativë të vlefshme për ta konsideruar”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Vengut, “ky shërbim i ri garanton individë të trajnuar dhe me përvojë nga vendi, por edhe nga diaspora, duke rritur gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcave tona të Armatosura në raste të përkeqësimit të sigurisë, operacionet e mbështetjes së paqes dhe gjatë emergjencave civile”.
Ai theksoi se, “mbi 15.5 milionë euro janë alokuar për aktivizimin fillestar të këtij komponenti, duke përfshirë armë, mjete, pajisje dhe një trajtim financiar dinjitoz.
“Shërbimi rezervist në Forcat e Armatosura do të nisë me krijimin e një kompanie në vitin 2025 dhe do të rritet gradualisht deri në 4 kompani në vitin 2030, duke përmbushur vizionin e Qeverisë Shqiptare për misionin Shqipëria 2030”, theksoi Vengu. Ministri nënvizoi se me këtë projektligj, mbyllet një vit i suksesshëm dhe i hapet rruga një viti tjetër me fokus te modernizimi i Forcave të Armatosura, zhvillimi i Industrisë Ushtarake dhe rritja e kapaciteteve në shërbim të sigurisë dhe Mbrojtjes Civile.