Situata nga moti në vend Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:
*Akset rrugore*
Në akset rrugore Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth, reshjet e borës vazhdojnë me intensitet të ulët. Rrugët janë pastruar dhe kriposur. Qarkullimi i mjeteve kryhet pa ndërprerje.
Në akset rrugore fushore: Lezhë-Shkodër-Hani i Hotit, Lezhë-Shëngjin, Ura e Bunës – Muriqan, Ura e Kirit-Vau i Dejës është punuar për pastrimin e kanaleve dhe riparimin e sinjalistikës. Nuk ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve.
Në aksin malor Pukë – Fushë-Arrëz – Kalimash, gjatë ditës ka pasur reshje bore. Grupet e punës në terren kanë pastruar borën dhe kanë bërë kriposjen e këtij segmenti. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore, por nuk ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve.
Në akset rrugore: Kukës – Krumë dhe aksin Kukës – Ura e Zapotit, Ura e Zapotit – Shishtavec, vazhdojnë reshjet e borës. Po punohet për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës. Qarkullimi kryhet normal, por rekomandohet perdorimi i gomave dimërore.
Në akset rrugore të Tropojës gjatë ditës së sotme ka pasur reshje bore me ndërprerje, por pa pasur probleme në qarkullimin e mjeteve. Është punuar për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre.
Të gjithë kontraktorët janë në gatishmeri me mjete dhe fuqi punëtore.
Në aksin rrugor Dushaj – Sheshi i Trageteve – Lekbibaj, kanë vijuar reshjet e borës me ndërprerje kohore dhe intensitet të ulët. Rekomandohen gomat dimërore, por nuk ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve.
Në akset rrugore të qarkut Tiranë, ka pasur reshje shiu të dobëta, por pa krijuar probleme në qarkullimin rrugor.
Pa probleme janë edhe akset rrugore të qarkut Gjirokastër, në Llogara, Sarandë, në akset rrugore të qarkut Fier, të Korçës.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës te lëvizin me shpejtësi të kufizuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe në akset me dëborë të përdorin gomat dimërore.
Nga strukturat e sistemit të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, nuk janë raportuar probleme në qarkullimin rrugor.
*Portet*
Në Durrës dhe Vlorë nuk janë raportuar probleme për lundrimin e anijeve.
Sipas raportimeve të OSSH, ekipet po punojnë për rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në disa zona rurale dhe malore.
*Lumenjtë dhe rezervuaret*
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
*Parashikimi motit në vijim*
Bazuar informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), ditën e diel priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet: Vlorë dhe Gjirokastër, reshje intensive në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë dhe Korçë, reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet e tjerë.
Reshjet e dëborës pritet të përfshijnë zonat Veriore, Verilindore dhe Juglindore të territorit në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit. Reshjet e dëborës, të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.
Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
• në bregdet: 4 / 14 °C ;
• në vendet e ulëta: 5 / 13 °C ;
• në vendet malore: -4 / 8 °C
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë.
*Vijon monitorimi dhe koordinimi me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të menaxhuar në kohë çdo situatë emergjente që mund të krijohet.*