Në një postim të tij në rrjetet sociale, Princ Leka ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe sakrificat që çuan në realizimin e lirisë dhe sovranitetit të Kosovës.
“Sot, më 17 Shkurt, festojmë me krenari dhe përkushtim një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pavarësinë e Kosovës,” shkruan Princ Leka, duke kujtuar se kjo ditë është fryt i sakrificave të brezave të tërë. Ai theksoi se Kosova ka kaluar një rrugë të vështirë, nga robëria te rezistenca, dhe se fuqia e popullit të Kosovës për liri dhe sovranitet nuk mund të ndalet.
Princ Leka nënvizoi gjithashtu lidhjen e thellë të familjes së tij me historinë çlirimtare të Kosovës, duke përmendur Mbreti Zog dhe Mbreti Leka I, të cilët, sipas tij, mbrojtën të drejtat e Kosovës dhe shqiptarëve kudo që ndodheshin.
Në urimin e tij, ai ftoi qytetarët e Kosovës të angazhohen për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur dhe të zhvilluar, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të besueshme, një ekonomie të fuqishme dhe një shoqërie të drejtë dhe të lirë.
“Kosova ka sfida përpara, por ato janë sprova që do ta bëjnë më të fortë dhe më të qëndrueshme,” shkruan ai. Princ Leka e mbylli urimin duke shprehur dëshirën për një Kosovë të lirë, të drejtë dhe të begatë.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë, e drejtë dhe e begatë!”