Policia ka dalë me njoftim zyrtar përe atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme në Shkodër. Sipas bluve të Shkodrës, 19-vjeçari Etjon Xhenja është qëlluar me breshëri plumbash në lokalin ku po pinte kafe, në bulevardin “Bujar Bishanaku”.
Mësohet se autorët janë larguar me shpejtësi me motorçikletë e cila më pas u gjet e djegur bashkë me një armë zjarri.
Njoftimi zyrtar:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.
Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.