Në prangat e policisë së Elbasanit kanë rënë dy persona pasi në rrugën “Qamil Guranjaku” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “BMW” të drejtuar nga shtetasi B. L, në sediljen e pasme të këtij automjeti u gjetën 2 kilogramë drogë.
DETAJE:
Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, kontrolleve të ushtruara për kapjen e personave me rrezikshmëri kriminale, apo të shpërndarësve të lëndëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Shpërndarësit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
1-B.L, 22 vjeç banues në Elbasan
2-S, 22 vjeç banues në Elbasan
Arrestimi i tyre, u bë pasi në Lagjen “Visarion Xhuvani”, në rrugën “Qamil Guranjaku” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “BMW” të drejtuar nga shtetasi B. L, në sediljen e pasme të këtij automjeti, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
2 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, një pjesë e paketuar me letër natriban dhe një pjesë e ndarë në doza të vogla gati për shitje.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
2 telefona celularë të markave të ndryshme, si dhe automjeti ku u gjet lënda narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 I Kodit Penal.
(J.V/Shuplaka)