Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në Shkodër, ku ka kryer homazhe për 4 të rinjtë e vrarë në masakrën e 2 Prillit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se 2 Prilli është më aktual se kurrë, dhe iu bëri thirrje të rinjve që të bashkoheshin kundër qeverisë, që është duke mbajtur pushtetin me veprime të ngjashme me ‘organizatat kriminale’.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur familjarë, prindër, vëllezër, motra, nipër mbesa, të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës, të dashur deputetë, i dashur kryetar i Bashkisë së Shkodër, jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën dhe kujtimin e martirëve, jemi këtu për të nderuar veprën e 4 heronje të PD-së, por edhe të 87 qytetarëve të Shkodrës, që në një masakër terroriste u plagosën në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti.
Miqtë e mi, në 2 Prill, 1991, gjimnazistët e Shkodrës e mbushën këtë shesh në protestën më të civilizuar që mund të bëjë njeriu i lirë, të ulur mbi çantat me librat e tyre, regjimi diktatorial do të festonte fitoren mbi aktin e tyre.
Sot vota e lirë është e konfiskuar nga patronazhistët dhe nga tregu kriminal i blerjes dhe shitjes së votës, nga banda e qeverisë, 2 Prilli sot më shumë se kurrë ka një apel për të rinjtë shqiptarë, që të vazhdojnë betejën e tyre për votën e lirë.
Sot të rinjtë shqiptarë përballen me qeveri që me veprimet e saj përbën një organizatë të vërtetë kriminale, që vjedh dhe plaçkit shqiptarët, votën e tyre, liritë e tyre, pasuritë e tyre. Kjo përbën një apel për çdo qytetar shqiptar, që të bashkojmë forcat kundër kësaj klike që nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e lirisë, për të cilat sakrifikuan martirët e Shkodrës.