Konfirmohen dy persona të tjerë që kanë humbur jetën si pasojë e gripit në vendin tonë. Bëhet fjalë për dy të moshuara njëra në qytetin e Vlorës dhe tjetra në Spitalin e Korçës. Vetëm mëngjesin e sotëm u njoftua edhe për një djalë 3-vjeçar që humbi jetën si pasojë e gripit.
Pacientja S. S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, shtruar në shërbimin infektiv, dhe më tej në reanimacionin e spitalit rajonal të Vlorës në datë 01/01/2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile,” ka ndërruar jetë në datë 14/01/2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.
Pacientja V. B., 71 vjeç, banuese në Korçë, e shtruar në spitalin e Korçës më datë 09.01.2017, me diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A. (E.K/SHUPLAKA)