Mjeku transfuziolog Mehmet Xhindoli, pranë Bankës së Gjakut në Lushnjë thotë se flakonët sigurohen me vështirësi dhe nuk përmbushen nevojat. Kjo dhe për vetë faktin se të sëmurët janë rritur dhe u duhet më shumë gjak.
Në bankën e gjakut të qytetit të Lushnjës marrin gjak 208 talasemikë. Nga këta, 102 janë nga qyteti i Lushnjës, 68 nga Fieri, 15 nga Berati, 6 nga Vlora dhe 5 nga Elbasani.
Për të plotësuar nevojat që kanë talasemikët, duhet që kjo bankë gjaku të furnizohet me mbi 3500 flakon në vit por ajo arrin të furnizohet gati me gjysmën e kësaj sasie.
Gazetarja e BOOM Domenika Bajraktari kontaktoi dhe me Valbona Docin nga Drejtoria e Bankës së Gjakut në Tiranë e cila kërkon që Drejtoria përkatëse në Lushnjë të bëjë organizim më të mirë duke sensibilizuar qytetarët për të dhuruar.
Nderkohe mjeku Xhindoli thotë se gjaku më i mirë është ai i dhuruar vullnetarisht, ndërsa për shkak të mungesës shpesh herë blihet.
Historia e Arditit qe vuan nga talasemia
Gazetarja: Ardit, mund të më thuash prej sa kohësh vuan nga kjo sëmundje dhe çfarë vështirësish has ti?
Arditi: Nga kjo sëmundje kam prej 8 muajsh që kurohem dhe vështirësitë janë mungesa e gjakut herë pas here. Vij këtu dhe nuk e gjej gjakun që e kam të nevojshëm.
Gazetarja: Sa herë është i nevojshëm transfuzioni që t’i duhet të bësh?
Arditi: Atëherë për moshën që kam e kam të nevojshëm për dy flakon në dy javë, që i bie 900 gram. Hera e fundit është sot në mëngjes që kam kontaktuar me doktorin. I kam thënë a mund të vij sot për transfuzionin? Më ka thënë se është e pamundur gjetja e gjakut.
Gazetarja: Prej sa kohësh ke ardhur dhe je detyruar të kthehesh pas pasi në spitalin e Lushnjës nuk ka gjak?
Arditi: Nuk mund të numërohen. Janë të pakta rastet që kur kam ardhur këtu dhe kam marrë gjakun që më nevojitet. Shumicën e rasteve jam kthyer, është dashur të vij prapë. Nuk është gjetur gjaku akoma. Është përsëritur herë pas here.
Mjeku: Kemi veshtiresi ne furnizimin e bankes se gjakut
Mehmet Xhindoli, mjek transfuziolog: Kemi vështirësi në furnizim
Xhindoli: Ne duhet ta pranojmë që ka shumë vështirësi. Ne i kemi zgjidhur të sëmurit, por duke bredhur ne, duke vajtur rreth më rreth për të marrë gjak dhe duhet të pranojmë se nuk i kemi plotësuar kërkesat ashtu siç duhet. Jo 100%.
Gazetarja: Mund të ndodhi që një pacient ka për të marrë flakonët sot dhe i shtyhet për një ditë tjetër?
Xhindoli: Po! Kjo ndodh! I sëmuri merr në telefon dhe ne i themi mos hajde sot. Hajde pas një dite apo dy ditësh. Mbasi e kemi marrë gjakun, çohet për analiza në Tiranë. Vjen përgjigja që andej dhe pastaj ia japim të sëmurit. Këta të sëmurë kanë ardhur të vegjël dhe po rriten. Nga një flakon duan dy. Ne e kemi të vështirë për ta plotësuar. Drejtoria e di, Ministria e di dhe na kanë lënë këtë zgjidhje. Duhet të mundohet edhe Berati, edhe Fieri që vijnë në Lushnjë.
Gazetarja: Në momentin që flasim, kjo bankë gjaku ka rezerva, ka sasi gjaku që t’ju vij në ndihmë të sëmurëve.
Xhindoli: Ka rezerva shumë pak. Kemi 2-3 gjak zero, 2-3 A. Janë rezerva të pamjaftueshme për të ndihmuar jo vetëm këta të sëmurë. Vjen një në maternitet me urgjencë, vjen në kirurgji një me aksident, duan gjak. Prandaj, ne duhet të mbajmë edhe rezerva. Ne prioritet kemi dhurimin vullnetar. Dhurimi vullnetar është më i mirë, më i sigurt dhe më i shëndoshë. Kur nuk plotësojmë dot nevojat për dhurim vullnetar, atëherë kërkojmë ndihmën e qeverisë për të plotësuar me lek disa dhurues të paguar që ne kemi. Kur ne marrim dhurime vullnetare, nuk paguajmë, por kur ngelim keq detyrohemi të paguajmë.
Valbona Daci, dr.Banka e Gjakut Tiranë: Lushnja të bëjë organizim më të mirë
Daci: Të gjitha procedurat që duhet të kryen në të gjitha bankat e Republikës duhet të jenë të unifikuara siç e ka qendra jonë. Ne kemi një menaxher cilësie kombëtare, i cili rregullisht shkon e bën auditime në lidhje me këto procedura në të gjitha Bankat e Republikës. Në lidhje me dokumentacionin, në lidhje me zbatimin e kësaj rregulloreje nga ku ne përgjigjemi për këtë pjesë. Lushnja duhet të bëjë një organizim shumë të mirë vet bashkë me Drejtorinë përkatëse që ka aty, që të sensibilizojnë dhe të bëjnë promocionet e institucioneve përkatëse, të gjithë popullatës që t’i mobilizojnë që të bëjnë dhurime vullnetare.
Lushja ka patur dhurime me pagesë, dhurimet me pagesë nuk i kanë marrë, më duket vjet dhe këtë vit dhe kjo është një arsye që ndoshta dhe ata kërkojnë me insistim. Por, për një cilësi më të mirë të gjakut dhe për një siguri më të mirë të gjakut ne jemi drejt uljes së numrit të dhuruesve me pagesë. Unë Lushnjë i ndihmoj maksimalisht kur kam teprica, maksimalisht. Në fund të ditës nëse ne kemi tepricë, Lushnja ka mangut absolutisht ne ia dërgojmë Lushnjës.
Pa diskutim kjo! Vlora merr dhurime vullnetare, por këto dhurime vullnetare i mbajnë për spitalin dhe nuk e shoqëron talasemikun që e ka të vetin, nuk e shoqëron në Lushnjë bashkë me gjak. Por i thotë ti do të shkosh në Lushnjë ta marrësh se atje je i regjistruar. Por ama nuk e shoqëron me gjak. Këtë ka problem Lushnja. Ky është një problem që duhet të zgjidhet nga drejtori me Drejtori.
Gazetarja së bashku me drejtoreshën e Spitalit rajonal të Lushnjës ka dhuruar gjak për të simbolizuar qytetarët për të shpëtuar jetë. /Ora News/
Discussion about this post