Sot bëhen plot 6 vite nga protesta e 21 janarit të 2011-ës, e cila u mbyll me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë. Të gjithë të qëlluar mes orës 16:00-16:10.
Demostruesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda vdiqën atë ditë, shtatë të tjerë u plagosën, mes të cilëve Aleks Nika, i plagosur rëndë ndërroi jetë në një spital në Turqi.
Opozita akuzoi qeverinë se qëlloi mbi demonstruesit, ndërsa në orët e tensionuara të mbrëmjes, një grup prokuroresh nisi punën në vendngjarje. Rezultatet e para paralajmëruan atë që do të vinte më pas. Gjatë kqyrjes së vendngjarjes, policia shkencore administroi brenda rrethit të kryeministrisë sasira të konsiderueshme gëzhojash, konkretisht 131 gëzhoja 9 milimetërshe, si dhe 436 gëzhoja 7, 62 milimetershe.
Pamja e parë e personit të dyshuar si një ndër efektivët që qëlloi mbi turmën ishte ajo e Agim Llupos në bodrumin e kryeministrisë, i vendosur sipas një plani masash që më pas u identifikua si grupi i zjarrit.
Alibia e parë, ajo e vrasjes nga afër me pistoleta, u rrëzua brenda pak orësh.
Por ndërsa në këtë demostratë Garda e Republikës kishte angazhuar 60 gardistë nga tre njesitë kryesore të saj, se kush qëlloi mbi demonstruesit gjatë 21 janarit 2011, do të qëndronte në mister për disa orë.
21 Janari në shifra:
4 protestues të vrarë, 6 protestues të plagosur rëndë, 80 gardistë dhe policë të plagosur lehtë. Në vendngjarje janë gjetur 439 gëzhoja 7.62 mm, 131 gëzhoja 9 mm nga të shtënat e Gardës dhe policisë, si dhe 8 fishekë fishekë luftarakë 7.62 mm të papërdorur.
Janë vërejtur 13 shenja plumbash në kangjellat e kryeministrisë në lartësinë e trupit të njeriut.
Janë gjetur 9 predha në zyrat e godinës së UNHCR, 2 predha në pemë, 1 në bankën te dy kullat binjake, 1 në godinën e Gjykatës Kushtetuese dhe 1 predhë në tabelën e sinjalistikës në bulevard.
Grupi hetimor i prokurorisë ishte përbërë nga 12 pjesëtarë, prej tyre 6 prokurorë dhe 6 oficerë të policisë gjyqësore. Janë marrë në pyetje 120 persona dhe janë kryer 2 eksperimente speciale në vendngjarje.
Grupi hetimor firmosi 6 urdhra arresti për drejtuesit e Gardës së Republikës, dy të dënuar nga Gjykata e Apelit, komandanti i Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardisti Agim Llupo me 3 vjet burg.
Berisha: Nëse Rama nuk do të përmbahej nuk do të ishte sot
Në emisionin Top Story, Berisha theksoi se për asnjë arsye në botë nuk do ta lëshonte zyrën atë ditë.
“Nuk e kisha konceptuar deri në atë ditë kurrë si armik, por të nesërmen ashtu siç i pata çuar fjalë nëse nuk do të përmbahej ai nuk do të ishte më. Ai u soll si armik. Më rrethoi me qëllimin që të vinte dhe të mbante një fjalim te zyra ime”, u shpreh Berisha.
Berisha foli për 21 Janarin, katër viktimat e tij dhe ngjarjet që pasuan atë.
“Kam shprehur dhimbje dhe keqardhje për ata njerëz, por institucioni nuk dorëzohej nga Sali Berisha. Ishte zgjedhje e gabuar nga Edi Rama. Ishte jashtë diskutimit që unë të lëshoja zyrën time. Kam shprehur dhimbjen më të madhe për viktimat, por as 1, as 3, as 300 nuk do të pushtonin zyrën time”, tha ai.
Ish-Kryeministri tha se asnjëherë nuk i ka parë kundërshtarët e tij politikë si armiq. Për të ka patur vetëm një armik.
“Në politikë në 26 vite kam konsideruar një armik të egër dhe asnjë tjetër dhe ai ka qenë Sllobodan Milloshevic. Nuk isha i sigurtë nëse të tjerët ndajnë këtë mendim. Pashë më 21 Janar Ramën që ushqente urrejtje dhe armiqësi sa donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës time dhe ndjeva keqardhje që ka mbartës të një diversiteti armiqësor. Unë pavarësisht nga qëndrimet e tij, në publicistikën e tij kishte edhe qëndrime shumë të drejta. Armik e kam shumë të vështirë të konceptoj kundërshtarin”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi pasardhësin e tij se më 21 Janar u soll si armik.
“Qëndrimi i tij më 21 Janar ka shënuar një pikë kthese në qëndrimin e jetës time sepse nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Ai u soll si armik më 21 janar”, u shpreh ai.
21 janari në fjalët e Edi Ramës para dhe pas zgjedhjes Kryeministër
21 janar 2011:
“Shqipëria që nuk jeton në oborrin e kusarëve dhe matrapazëve të pushtetit të vjedhur nesër e ka ditë zie, por, pasi të nderojmë të vrarët në një demonstratë për lirinë e drejtësinë, e siguroj Saliun se do të na ketë përballë, me të gjithë përgjegjësinë historike dhe qytetare që imponon largimin e kësaj qeverie që nuk është qeveria e shqiptarëve të zakonshëm por një regjim i patolerueshëm kusarie e matrapazllëku.”
18 shkurt 2011:
“Në 21 janar kishte vetëm një arsye për të parë të vrarë… Kjo arsye është arsyeja e hajdutit të kapur në flagrancë që bërtet kapni hajdutin dhe pastaj vret në panik duke kërkuar qorrazi rrugën e shpëtimit. Rrugën e shpëtimit që kërkojnë sot Saliu, Luli, Iliri dhe ata që në atë qeveri kanë kryer vepra të rënda, krime të pashoqe ekonomike, kundër Shqipërisë e shqiptarëve, për përfitimet e tyre personale.”
20 janar 2012:
“Po ku, në ç’vend tjetër të botës së lirë, do të mbushej viti me një ironi kaq sarkastike të fatit që brenda të njëjtës javë të shpallet i pafajshëm nga drejtësia pushtetari, që provokoi keqaz një popull të tërë me videokusarinë e tij dhe të pafajshmit as të mos prehen dot të qetë për shkak se s’ka asnjë shenjë drejtësie për të ndëshkuar vrasjen e tyre me pushkët e shtetit?”
19 mars 2012:
“…vrasësit vazhdojnë të jenë të pagjykuar e të pa ndëshkuar, as moralisht, as ligjërisht.”
21 janar 2013:
“Plaga është jo vetëm e hapur. Në të gëlon infeksioni i padrejtësisë. Shqipëria sot është ende më e padrejtë se dy vjet më parë. Vrasjet në bulevard janë pasuar nga një vrasje në çdo seancë të proçesit gjyqësor. Plaga e infektuar prej padrejtësisë flet kumbueshëm. Vetëm largimi i pushtetit që vrau, mund të afrojë ditën e ndëshkimit për vrasjet. Drejtësia për 21 janarin nuk u duhet vetëm familjeve të katër burrave, katër baballarëve, katër djemve, katër miqve, katër shqiptarëve të zakonshëm, të cilët sot një vit në 21 janar të vitit 2014, ne do t’i shpallim dëshmorë të atdheut.”
4 Prill 2013:
“Që 21 janari të mos mbetet siç është sot, një plagë e hapur që lëndon vijimësisht popullin opozitar dhe që po ushqen këto ditë me gjak opozitar mediat e regjimit që vrau katër protestues të pafajshëm, duhet fitorja e 23 qershorit.”
12 prill 2013:
“21 janari, jo vetëm nuk është çështje e mbyllur, por 21 janari është njëra nga çështjet që më kanë shtyrë t’i kapërcej ato histori aspak të këndshme dhe ato momente shkëmbimesh me kryetarin e LSI-së. Kush mendon se duke shkuar drejt këtij bashkimi unë e kam harruar dhe e kam anashkaluar, gabon.”
21 janar 2014:
“21 janari 2011 la shenja për të gjithë ata që ishin aty atë ditë, për të gjithë shqiptarët e gjeneratave të tjera do t’i prekin me sy ato shenja, si plagët e një ngjarje që s’duhet të përsëritet kurrë. Harresa s’duhet të jetë alternativa jonë përballë drejtësisë”
21 janar 2015:
“Ne nuk do të ndërhyjmë te drejtësia, te gjykatat dhe Prokuroria, siç kanë ndërhyrë ata që sot akuzohen për vrasjet e 21 janarit dhe tragjedi të tjera në këtë vend”
27 janar 2015:
“21 janari është një krim politik… që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet në rrugën e drejtësisë, por është një nga ato krime për të cilët drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron.”
“Sigurisht ne nuk jemi as prokuroria dhe as gjykata. Ajo çka mund të bëjmë ne është të këmbëngulim dhe të kërkojmë. Kemi gjetur një kënd për të bërë një hap përpara. Po punojmë edhe nga një kënd tjetër, për të angazhuar edhe një studio ndërkombëtare, çka nuk rezulton të jetë fortë e lehtë në kuadrin tonë legjislativ, por ne as kemi reshtur dhe as do të reshtim se kërkuari rihapjen e çështjes dhe gjykimin e saj në themel, për të nxjerë të gjithë përgjegjësit lidhur me tragjedinë e 21 janarit.”
21 Janari me 5 viktima
Gjykata Administrative e Tiranës, në një vendim të para dy ditëve, ka njohur si viktimë të pestë lidhur me demonstratën e 21 janarit 2011 edhe Bardhosh Myrtajn, i cili i dha fund jetës tre muaj pasi i ati, Faik Myrtaj, u vra në bulevard.
Për këtë arsye, gjyqtarja Silvi Gjonçaj shprehet se Garda e Republikës duhet të dëmshpërblejë familjarët e kësaj familjeje edhe për vetëvrasjen e 22-vjeçarit, i cili ka qenë nën efektin e zisë patologjike. Avokati i familjarëve të viktimave të 21 janarit, Dorian Matlia.
“Konsideroj Gardën e Republikës fajtore, ekskluzivisht Gardën dhe jo Policinë e Shtetit, sepse vrasjet erdhën nga Garda. Gjykata ka njohur edhe viktimën e pestë, djali i Faik Myrtajt, që ka kryer një vetëvrasje në kushte të rënda psikike si pasojë e vrasjes së të atit. Prandaj Garda do të paguajë dëmshpërblim jo vetëm për personat që i dimë, por edhe për një person të pestë”,- deklaron Matlia. Ndërsa qeveria ka dhënë 1.2 milion dollarë si dëmshpërblim për familjarët e të vrarëve në bulevard në zbatim të katër vendimeve të Gjykatës Administrative që nuk janë apeluar në Shkallën e Dytë nga pala e paditur, Garda e Republikës.
Konkretisht gjykata ka dëmshpërblyer trashëgimtarët e të ndjerit Faik Myrtaj, bashkëlidhur edhe për të birin e vetëvrarë; trashëgimtarët e Ziver Veizit; vëllezërit dhe motrat e të ndjerit Hekuran Deda dhe fëmijët e tij.
Për ngjarjen e 21 janarit të 6 viteve më parë, përveç procesit penal në Shqipëri, ka edhe 7 procese civile dhe një tjetër në Strasburg për Aleks Nikën, vrasja e të cilit nuk ka ende autor.
1.6 miliard për viktimat e 21 Janarit
Pak ditë nga 6-vjetori i ngjarjes së rëndë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Qeveria ka akorduar një fond shtesë për Ministrinë e Brendshme që kap vlerën e 1.6 miliard lekëve të vjetra, të cilat do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore për viktimat e 21 janarit.
Paratë do t’i kalojnë Gardës së Republikës, e cila është e paditura nga familjarët e viktimave të 21 Janarit.
AXHENDA E QEVERISË
Ashtu sikur ka ndodhur çdo vit edhe në përvjetorin e 6-të do të ketë një ceremoni përkujtimi për 4 protestuesit që u vranë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në 21 Janar të 2011.
Ceremonia do të nisë në orën 10:30 në sallën e Hartave, ku kryeministri Rama është parashikuar që të mbajë edhe një fjalë, shkruan ”Shqiptarja.com”.
Pas fjalës së Ramës në 11:30 do të vendosen lule në bulevard në vendin ku u vranë Aleks Nika, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi. Ndërsa në orën 12:00 është parashikuar një drekë me familjarët e viktimave.
Para 2 ditësh qeveria vendosi dëmshpërblimin e 3 familjarëve të viktimave që u vranë në 2011, ndërsa njëri është ende në proces gjyqësor.
Axhenda për përvjetorin e 6-të të ’21 Janarit’
10:30-11:30 Pritje familjaret nga Kryeministri tek Salla e Hartave, Kryeministri.
11:30-12:00 Vendosja e luleve në bulevard.
12:00-13:30 Drekë me familjarët e viktimave. (A.R/Shuplaka)