Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në mëngjesin e datës 1 shtator në fshatin Selenicë të Vlorës, ku nga një shpërthim i fuqishëm në oborrin e banesës së tij, humbi jetën 56-vjeçari Durmish Glluca.
Ngjarja e cila u raportua fillimisht si një incident që ndodhi për shkak të shpërthimit të një bombole gazi, duket se ka qenë një atentat i mirfilltë.
Policia ka arrestuar sot në datën 2 shtator, një ditë pas ngjarjes, djalin e të ndjerit Gllucaj shtetasin 23-vjeçar Mateo Gllucaj.
“Ngjarje” raporton se ka qenë i riu i cili ka vendosur një sasi lënde plasëse në një sobë me gaz që ndodhej në oborrin e banesës.
Lënda plasëse është shpërthyer me telekomandim, dhe vendosja e saj në sobën e gazit duket se ka ngatërruar fillimisht hetuesit të cilët dyshuan se 56-vjeçari humbi jetën si pasojë e shpërthimit të bombolës.
Nga informacionet e siguruara, rezulton se Mateo e ka vendosur lëndën plasëse në sobë, pasi babai i tij ushtronte vazhdimisht ndaj tij dhunë fizike.
Punonjësit e policisë kanë ushtruar një kontroll në banesën ku ndodhi ngjarja, ku kanë mundur të gjejnë dhe sekuestrojnë mekanizmin elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.