Nga Arben Vata
Kur 4 vjet më parë në Shkodër, ish Presidenti serb Boris Tadic bekoi aleancën Rama-Meta, politikani I lartë serb nuk e mendonte se do të gjendej një ditë në të njëjtin pozitë sikurse paraardhësi i tij, Miladin Popovic, i cili pavarësisht përpjekjeve nuk mundi të mbajë të bashkuar Grupin e Korcës dhe Grupin e Zjarrit. Brenda pak vitesh komunistët shqiptarë të viteve 40’ jo vetëm u përcanë, por Enver Hoxha arriti që ti shfaroste politikisht dhe më pas edhe fizikisht të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Marrëveshja e nënshkruar më 1 prill 2013 (në ditën e 68 vjetorit të Masakrës së Tivarit), tashmë është zhveftësuar dhe dy protagonistët janë në përpjekje për të fundosur përfundimisht politikisht njëri –tjetrin. Por nuk është vetëm kjo, pamje më e cuditshme e këtyre votimeve krahasuar me katër vjet më parë. Prej 27 vjetësh, cdo herë që ka zgjedhje në Shqipëri, thuhet se “këto janë më të rëndësishmet në historinë e demokracisë” dhe sapo ato mbarojnë fjalia që zakonisht thuhet nga fituesi si dhe ndërkombëtarët është “këto zgjedhje ishin një hap përpara dhe më të mirat e zhvilluara ndonjëherë”. Por në të vërtetë a janë të vecanta dhe të një rëndësie të vecantë zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri dhe cfarë i dallon këto zgjedhje nga votimet e kaluara?!…
Cilat janë anomalitë që kanë shoqëruar përgatitjet e këtyre zgjedhjeve?
Votim në ditën e Bajramit!
Nuk ka ndodhur asnjëherë, që votimet në Shqipëri të kryhen në një ditë që përkon me festë fetare apo cfarëdo feste tjetër, kur njerëzit e kanë të garantuar me ligj si ditë pushimi dhe feste. Me ligj kjo nuk lejohet, por fundja kush pyet fort për ligjin. Mjafton që dy partitë e mëdha bien dakord të shtyjnë zgjedhjet dhe në kushtet e arrogancës dhe klimës së shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës, askujt nuk i bie ndërmend që 25 qershori përkon me festën e Barjamit. Madje as Presidenti që kohët e fundit ka qenë tepër i zënë me shpërndarjen e dekoratave, nuk kujtohet të konsultohet me dikë për datën 25. Kreu në ikje i shtetit, dekretoi në fakt dy data të zhvillimit të votimeve, njëherë me 18 dhe më pas me 25 qershor, pa u kujtuar realisht se njëra e përjashton tjetrën.
PD, e papërgatitur sic duhet për fushatë
Kur Basha dhe Rama dolën nga takimi i gjatë mes tyre pak javë më parë, numëroheshin me gishtat e dorës drejtuesit apo deputetët e PD-së, të cilët mendonin se vendi do të shkonte në zgjedhje brenda muajit qershor. Ndërsa militantët apo mbështetësit e thjeshtë të PD-së, kishin planifikuar ndoshta votime në vjeshtë. Kjo ishte atmosfera që mbizotëronte në cadrën e ngritur përpara zyrës së Ramës në Bulevard, ndaj dhe marrëveshja e papritur për të mobilizuar strukturat në një kohë record, shkrehu cadrën, por vështirë të arrijë të ngrejë nivelin dhe forcën e angazhimit të PD në të gjithë kapilarët e saj. Ndërkohë, PS dhe LSI kishin javë që kishin nisur takimet në bazë dhe rrjedhimisht kishin angazhuar edhe shumë forca njerëzore dhe mjete shtetërore në shërbim të fushatës së tyre. PD hyri jo aq e përgatitur për këtë fushatë, por gjithsesi rezultati do të tregojë nëse ky ishte me të vërtetë një minus apo jo.
Zgjedhjet me ligjin e vjetër
Cdo herë që ka zgjedhje në vend, flitet për ta ndryshuar apo përmirësuar atë. Kështu u bë edhe këtë herë, por nuk u insistua aq shumë sa herët e tjera. Partitë e vogla u kujtuan për këtë vetëm kur panë se PS dhe PD ranë dakord që të mos i përfshijnë ato në koalicionet e tyre. Megjithatë, përfshirja e disa aleatëve në listat e partive të mëdha, është sërish deformim vote. Sigurisht që kjo do të përbëjë vetëm një fjali të raportit për zgjedhjet.
Votimi e numërimi elektronik dhe emigrantët ”armiq”
Prej më shumë se 10 vitesh flitet për votimin dhe numërimin elektronik si dhe mundësinë e votimit të emigrantëve, por as edhe këtë herë kjo nuk arrit, pasi palët ishin të zëna me konflikt mes tyre dhe marrëveshja e minutës së fundit nuk kishte si të përfshinte në të detaje të tilla ”të pa rëndësishme”. Kur vjen puna te emigrantët psh, secila nga partitë ka frikë nga vota e tyre ndaj sic duket e shtyjnë këtë detyrim për në kalendat greke. Në ndihmë të kësaj klime, vijnë fatkeqësisht edhe një numër analistësh apo personash të tjerë me artikulim publik dhe në media sociale, të cilët vjellin vrer kundër emigrantëve dhe nuk dëshirojnë votën e tyre. Kam lexuar komente ofenduese, por nuk ja vlen të përmenden. Mjafton tu kujtoj se vetëm Enver Hoxha dhe regjimi i tij i quante të ikurit nga Shqipëria, si armiq të sistemit.
PS i merr PD dy gishtat
Një dorë në shkeljet e pafundshme ligjore për këto zgjedhje, ka dhënë edhe KQZ-ja, e cila herë u soll si militante e PS dhe herë toleroi deri në shkelje ligji vonesat e PD në sjelljen e listës së kandidatëve për deputetë. Por ajo që ishte ironike në hedhjen e shortit për numrin rendor të partive në listën e votimit të hedhur në KQZ, janë numrat qe korrespondojnë me PS, PD dhe LSI. Kjo e fundit, edhe sikur të kishte paguar ata që merrnin pjesë në hedhjen e shortit, nuk mund të zgjidhte numër më të përshtatshëm për vete sesa nr 1. Kur njeriu voton, zakonisht shikon nga fillimi dhe nuk është cudi që njerëzit të ndalen tek fillimi fare. Por edhe ata që votojnë PS (nr 2) ka shumë shanse që të ngatërrohen me LSI, pasi janë njëra pas tjetrës në listë dhe kanë ngjashmëri fjalën SOCIALISTE. Ndërkohë ajo që nuk pritej ndodhi. PS i mori PD simbolin e dy gishtave dhe Rama po bën fushatë me dy gishtat lart, që është në fakt numri rendor i partisë së tij në listën e votimit. “Më e humbura” në gjithë këtë kaprico të fatit është sigurisht PD. Ajo përfaqësohet me numrin 6, që realisht nuk se është një numër me fat. Suksesi në zgjedhje nuk varet nga numri me të cilën një parti identifikohet në fletën e votimit, por me programin që shpall dhe njerëzit që ofron si ekipin fitues.
PS-PD, largojnë “të vjetrit” nga radhët e tyre
Programet e partive duhet të jenë realisht oferta mbi të cilën njerëzit duhet të reflektojnë dhe votojnë. Megjithatë, asnjëherë nuk ndodh krejtësisht kështu, pasi partitë zakonisht premtojnë më shumë sesa munden dhe njerëzit tashmë e kanë kuptuar se premtimi është dicka që jepet për të mos u mbajtur. Ndaj, ato më shumë sesa programin shohin se prej kujt përfaqësohen partitë në fushatë. Në këto votime vihet re që edhe PS, edhe PD kanë larguar nga konkurimi për në parlament një pjesë të mirë të udhëheqësve apo deputetëve të vjetër. Sic duket kryetarët e partive duan ta kenë gjithnjë e më të lirë terrenin për ta drejtuar partinë sic ata e kanë botëkuptimin e tyre.
Kryeministri dhe Presidenti i zgjedhur, thirrje antikushtetuese
As Enver Hoxha nuk jepte udhëzime me shkrim apo me gojë, që policët të bënin propagandë për PPSH, por as ndonjë regjim tjetër totalitar sot në botë nuk ia lejon vetes që të kërkojë angazhimin e policisë për të mbledhur vota pro partisë në pushtet, pas përfundimit të orarit zyrtar të punës. Nuk dihet se në cfarë kushtesh dhe rrethanash u bë kjo deklaratë, megjithatë ndjesa e kërkuar nga kryeministri nuk e shfajëson atë. Porosia që ai transmetoi, e pati efektin e vet, pavarësisht se “u keqkuptua”. Kjo është njësoj sikur një person të vrasë dikë dhe kur të pyetet pse e kreu krimin të thotë ”nuk mbaj mend asgjë, kam qenë i pirë…”. Kurse nga ana tjetër, në një rast tjetër të paprecedentë Ilir Meta kërcënoi se do të armatosë popullin në rast se policia nuk arreston autorët e dhunës ndaj mbështetësve të tij. Fushatë është fundja. Mund të themi cdo gjë dhe falet…
Paqe mes kundërshtarëve, dhunë mes aleatëve
Ndryshe nga sa mendohej pak javë më parë, fushata elektorale e qershorit të sivjetshëm është një “muaj mjalti” mes PS dhe PD. Takimi Rama-Basha, duket se po i jep efektet edhe në këtë drejtim dhe nuk është cudi që kjo klimë të vijojë edhe përtej ditës së zgjedhjeve. Ndryshe nga sa pritej, PD nuk po flet më për krimin në pushtet, drogën dhe kapjen e shtetit, por po mjaftohet me akuza minore ndaj qeverisë. Kurse PS nga ana e saj, është e zënë në një konflikt thuajse të përgjakshëm me aleatin e saj në qeverisje, LSI. Cdo javë ka njoftime për rrahje dhe kanosje të njerëzve të LSI dhe dashtë Zoti që ditën e Bajramit të mos ketë incidente edhe më të rënda që mund tu kushtojnë jetën qytetarëve të thjeshtë, të cilitdo krah politik.
Mediat si kazan i politikës
Fillimisht jam ndjerë i irrituar kur kryeminstri Rama quajti median si Kazan. Por kohë pas kohe, edhe unë u binda se kështu është. E dini pse?! Sepse Rama (me shumë pak përjashtime), e ka të gjithë median nën kontrollin e tij. Këtë po e tregon edhe fushata, por edhe periudha përgjatë gjithë qeverisjes së tij deri tani. Pse mos ta quajë ai median dhe gazetarët Kazan, kur ata që ai i akuzon si të tillë janë të përlyer nga koka tek këmbët në llumin dhe detyrimin që i kanë pushtetit? Kazan-gazetrarë janë ata që nuk kanë për mision interesin dhe shërbimin ndaj publikut, por atë ndaj qeverisë dhe politikanëve. Ata nuk u bënë kazan-gazetarë vetëm me Ramën, por të tillë kanë qenë kazan-shërbëtorë ndaj cdo pushteti. Ndaj, jam me Ramën në këtë konstatim. Të lumtë zoti kryeministër. Mirë ua bën. Mund tu drejtohesh ndoshta me ndonjë përcaktim tjetër, por nuk ta lejon etika ta thuash publikisht.
Si do të dalin zgjedhjet? Për kë duhet të votojmë?
Për tju përgjigjur kësaj pyetje, duhet të pyesësh të gjithë ata që do të votojnë. Por një votues i zgjuar dhe i vëmendshëm, shikon dhe analizon cdo parti politike. PS në qeveri ka premtuar shëndetësi falas, legalizime falas dhe 300 mijë vende të reja pune, por nuk ka mbajtur asnjë nga këto premtime madhore. A duhet të votohet një ekip i tillë qeverisës që premton pak a shumë të njëjtën gjë, por që ankohet se nuk e ka lënë aleati vet të punojë?! Ndoshta ka ardhur koha që të votojmë me mend dhe jo vetëm me zemër. PD ka tashmë një drejtues të ri politik, që ka gjithashtu një ofertë të re në njerëz dhe në program. Megjithatë, PD dhe Bashës në këto vite duhet ti njihen si suksese betejat për dekriminalizimin dhe ajo kundër drogës dhe votës së lirë. Megjithëse, një pjesë e tyre duken tashmë të harruara apo të lëna pas dore, serioziteti politik është dicka që duhet të merret në konsideratë nga votuesit. Sa i takon LSI, ajo e ka realisht të vështirë që të bindë votues të tjerë, përvec atyre tradicionalë, pasi nuk ka sesi të justifikojë keqqeverisjen me Ramën, duke e kritikuar atë vetëm përgjatë fushatës.
Cila do të jetë qeveria e ardhshme?
Për këtë duhet të pyeten drejtusit e PD, PS dhe LSI. Me shumë gjasë asnjëra prej këtyre partive nuk do të mundet që ta krijojë e vetme qeverinë. Nëse marrëveshja Rama-Basha synon një qeveri të përbashkët mes tyre me qëllim eliminimin e LSI së Metës, kjo është një manovër politike e pa ndershme. Një politikan mundet me votë dhe jo me hile apo marrëveshje politike. Nëse Meta mban partinë me njerëz që sic PD e PS thonë paguajnë për të qenë pjesë e administratës dhe ndërkohë PS kërkon ta shpërbëjë këtë parti, për ta përdorur elektoratin e saj me të njëjtin qëllim, ky është një krim politik. Këtë e ka kuptuar Meta dhe njerëzit e tij dhe për ta kjo është një betejë për “jeta e vdekje”. Ndaj edhe LSI do të këtë një rezultat sërish përcaktues për qeverinë e re. Mundësia që Basha të bëjë koalicion me Ramën përpara se me Metën është e vogël ose thuajse e pamundur, por në politikë “kurrë nuk thuhet kurrë”. Mund të shohim edhe Ramën që ti kërkojë bashkëpunim LSI me kryetar Vasilin, pasi Meta duhet normalisht të shkojë në Presidencë një muaj pas zgjedhjeve. PS dhe LSI kanë artikuluar akuza dhe tone më të egra ndaj tyre në vite dhe nuk është cudi që të qevesin sërish, në një rast eventual. Cudi do të ishte që PD të qeveriste me PS, pasi kjo me siguri që do të dëmtonte PD. Kurse me LSI, PD ka qeverisur, pavarësisht akuzave që më pas kanë artikuluar ndaj njëra tjetrës. Të shohim se çfarë do të prodhojë vota e 25 qershorit..