Kanë kaluar 25 vite nga vdekja e aktorit të njohur të humorit shkodran Tano Banushi. Ditën e djeshme është përkujtuar vdekja e Artistit të Popullit.
Pas 25 vitesh për herë të parë ka kërkuar falje drejtoresha e Teatrit të Shkodrës, Rita Gjeka.
Ndjesa e saj ka ardhur sepse kur ndërroi jetë aktori i njohur, trupi i tij nuk është lejuar të hyjë në teatrin ‘Migjeni’, për të kryer homzhet mbi të ndjerin.
“Kam 25 vjet që më bren një gjë shumë e rëndë. Na takon ne me kërku falje sot se 25 vjet më parë ai nuk u lejua të hynte në teatër për të bërë homazhe. Makina mortore është sjellë rreth e qark teatrit e mandej ka shku. Ka 25 vjet që më vjen marre për këtë gjë”.
Në lidhje me këtë gjest të drejtoreshës së teatrit ka reguar edhe deputeti i LSI-së Luan Rama, i cili nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, shkruan se ky akt është qytetar.
Ai ka falenderuar Rita Gjekën për aktin që ka kryer duke thënë se është një model prej nga duhet të mësojnë kolegët e politikës.
Statusi i plotë i deputetit Luan Rama:
“Akt qytetar i drejtoreshës së teatrit “Migjeni” në Shkodër!
Dje u mbushën 25 vjet prej ndarjes nga jeta të “Artistit të Popullit” Tano Banushi!
E, drejtoresha e teatrit “Migjeni” në Shkodër, aktorja Rita Gjeka, me një akt qytetar e fisnik, ka kërkuar ndjesë publikisht për marren e një tufe idiotësh, të cilët 25 vjet më parë, nuk lejuan që Tano Banushit, artistit më të madh të skenës së humorit shqiptar, t’i bëheshin nderimet e përcjelljes për në banesën e fundit në teatrin “Migjeni”!!!
Të lumtë Rita e faleminderit për shembullin dhe kurajon qytetare!
Një model prej nga duhet të mësojnë kolegët e mi të politikës!”
(E.V/Faxweb.al)