Gropa plot baltë e ujë, hapësirë e shkujdesur, është kjo panorama që ofrojnë hapësirat publike në lagjen “28 nëntori” në Elbasan. Të bindur se zëri i tyre ka peshë në kohë fushate, banorët e kësaj lagje u ngritën sot në një protestë simbolike teksa kërkuan investime në zonën e tyre.
Një pjesë e familjeve janë vendosur në këtë lagje 3-dekada më parë dhe thonë se në gjithë këto vite nuk ka patur asnjë investim për komunitetin. Edhe pse pohojnë se kanë bërë disa kërkesa në ndrejtim të njësisë administrative përgjigja që kanë marrë është se nuk ka fonde.
Sipas tyre në verë nuk munden t’i hapin dritaret pasi tymi jashtë vërshon brenda, ndërsa fëmijë e të moshuar e kanë të pamundur të dalin jashtë shtëpisë.
Teksa shprehin indinjatën e tyre për lënien në harresë nga pushtetarët lokal dhe qendror shkojnë deri aty sa paralajmërojnë se nëse në lagjen e tyre nuk do të investohet do t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale.
‘’Kemi kaq vite që është i njëjti problem, marrim këpucë me vete që të dalim në qytet, jemi më keq se në fshat. Japim taksa dhe kur vjen fundi nuk marrim asnjë gjë. Pushtetarët e dinë, kur është fjala për vota turren të gjithë. Ja kam dhënë gjithmonë, ikën një kryetar vjen një kryetar, i njëjti problem është gjithmonë.
Të moshuarit çfarë të të them, nuk mund të dalin të ecin nëpër gropëra”, u shprehën banorët.
Në pellgun plot ujë e baltë gjendet edhe njësia Adminsitrative. Fax Neës kontaktoi me kryetarin e njësisë Z.Fation Hasalla i cili na vuri në dispozicion projektin që ka hartuar për lagjen, por thotë se janë në pritje të alookimit të fondit , pa caktuar një afat kohor. Sipas Z.Hasalla pjesë e projektit është edhe rivitalizimi i fasadave të pallateve.