Arta Marku, kryeprokurorja e re e ka nisur ditën e sotme me tre lëvizje të rëndësishme në rradhët e Prokurorisë së përgjithshme.
Emrat peshojnë pasi të tre ata kanë mbajtur funksione të rëndësishme në institucionin e Prokurorisë nën drejtimin e Adriatik Llalës.
Kryeprokurorja ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, i komanduar nga Llalla në këtë funksion.
Në vendin e Fushës është emëruar Dritan Rreshka. Fusha është bërë më së shumti i njohur për lidhjen e tij me kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Edhe pse kishte disa dosje nën hetim për kreun e Bashkisë së Tiranës, Fusha është parë në një takim meVeliajn, kohë më parë. Hera-herës ndaj tij janë ngritur akuza të shumta për korrupsion.
Më herët Marku ka larguar nga detyra një nga emrat më të afërt të paraardhësit të saj Adriatik Llalla, Rovena Gashin. Gashi është përmendur dhe ajo më së shumti në media për faktin se pak muaj më parë i ishte refuzuar viza amerikane.
Gashi ishte drejtoreshë për marrëdhëniet me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vend të saj është vendosur ish-kandidati për kryeprokuror Arqile Koça.
Prokurorja Rovena Gashi, e cila ishte në drejtim të kësaj Drejtorie, caktohet prokurore pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Po ashtu shefe e re e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme është zgjedhur Alketa Zyfia, e cila ka zëvendësuar në këtë post Fjorida Ballaurin. Nuk dihet nëse këto lëvizje të prokurores do të vijojnë edhe në rrethe, mirëpo mund të themi pa frikë, që dhe aq lehtë nuk e ka nisur kryeprokurorja.
Sapo ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme Arta Marku ka pasur disa takime të rëndësishme me ambasasdorët amerikane dhe gjermanë, si dhe ministrin Xhafaj.
(E.K/FAXWEB)