Ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim në media, kur gazetarët dhe analistët kanë debatuar me politikanë, ose këta të fundit me njëri-tjetrin, debati për ministrin Fatmir Xhafaj dhe vëllain e tij, kaloi në përplasje mes analistëve dhe opinionbërësve në tregun mediatik shqiptar.
Nga fyerjet personale, bullizimi, tek akuzat për përfitime nga politikanët, debati publik më shumë sesa tek audio-përgjimi dhe dosja “Xhafaj”, u fokusua tek 3 sherre që do mbahen mend gjatë…
Faxweb.al sjell një përmbledhje të debateve në media gjatë javës që lamë pas.
1.Shpëtim Nazarko dhe Alfred Lela
‘Siparin’ e ngriti debati në Top Show mes analistit Shpëtim Nazarko dhe drejtuesit të Politiko.al, Alfred Lela.
Audio-përgjimi i publikuar nga PD për vëllanë e Fatmir Xhafës dhe a duhet të jepte dorëheqjen ministri ishte tema e debatit.
Në replikë e sipër, debati kaloi në fyerje personale derisa kulmoi në replikat e mëposhtme:
Nazarko: PD po nuk nxori burimin nga e mori videon, do i shkojmë me paketa në burg.
Nazarko-Salianjit: Ik o budalla, ku merr vesh ti.
Lela: Ti je gomar.
Nazarko: A ma ha m*ë. Kur të dh*** unë, ik haje.
Lela: Ik dil në pension mos na çaj tr*pin.
2. Mustafa Nano dhe Gazmend Bardhi
Të ftuar në studion e “Opinion”, analisti Mustafa Nano debatoi me ekspertin ligjor në PD, Gazmend Bardhi.
Bardhi dhe Nano po flisnin për pasuritë e politikanëve, e duke renditur pasurinë e Ramës dhe kunatit të kreut të PD-së, Lulzim Basha, ata kaluan në fyerje personale.
Replikat mes tyre:
Bardhi: Vilë në Surrel ka Edi Rama nuk ka ndonjë nga opozita.
Nano: Pse për kunatin të mos flasim?
Bardhi: Jo të flasim për vilën tëndë në Lalëz.
Nano: Për vilën time, vilën time, vilën e sat ëme…
Bardhi: Vilën e sat ëme
Nano: Unë nuk kam vilë në Lalëz. Unë kam apartament. Ti je një idiot me gjyslykë
Bardhi: Ne s’jemi këtu për pasuritë
Nano: Ti nuk je idiot mor, ti je kërriç
Bardhi: Po të flasësh kështu nuk është argument
Nano: Ik mor zuzar, palaco.
3. Çim Peka dhe Nikoll Lesi
Në dallim me kolegët e tyre, drejtuesi i Syri.net, Çim Peka dhe ai i “Koha Jonë”, Nikoll Lesi kanë replikuar në distancë me disa shkrime redaksionale, ku nga akuzat për mbrojtje të Xhafës tek apartamentet nëpër kulla, ‘lufta’ kësaj here ka kaluar në frontin opozitar.
Çfarë shkruajti Peka për Lesin:
“Interesant në këtë front është rasti, i Nikoll Lesit.
Ditët e fundit, edhe duke u investuar personalisht me editoriale të nënshkruar me pseudonimin mediatik të preferuar, “Spiten Prulli”, në gazetën e tij “Koha Jonë” po bëhet një avokaturë teje e fortë ndaj Fatmir Xhafajt dhe detyrimisht edhe ndaj të vëllait; sepse në fakt ai dhe veprimtaria e tij kriminale është thelbi i çështjes.
Themi interesant, sepse në të njëjtën faqe ku mbrohet me tituj bombastik Xhafaj, gjen me shumicë lajme të eksponentëve zyrtarë të LSI si Petrit Vasili e Ylli Manjani, të cilët mendojnë të kundërtën.
E vërteta është, se nëse kthehemi pas në kohë, Ilir Meta me Xhafajn kanë qenë në përplasje të hapura, veçanërisht për çështjen e projektit fillestar të Reformës në Drejtësi ( U detyruan ta rishikojnë pas Venecias dhe “kërcënimit” të kreut të LSI, për largim nga kooalicioni), në të cilën sot po del se ka ndërhyrë e falsifikuar nenin. për ekstardimin në favor të të vëllait të dënuar në Itali
Por Lesi gjithmonë ka qenë “kokë më vete” dhe ky investim ndaj Xhafajt, mund të mos ketë lidhje fare me afeksionin e tij ndaj presidentit, por vetëm me konspiracionin që shpalos ai në shkrimet e tija; me pak fjalë Rama&Basha në koordinim, po “ja fusin” Fatmir Xhafajt!”-shkruante portali.
Kaq ka mjaftuar që Lesi t’i kushtojë një editorial gazetarit Peka.
Shkruan Lesi:
“Sot në mesditë, pas drekës së “Syrit”, Çim Peka ka shkruar një editorial pa emër, po në emër te “Syri.net” me titullin: “Gazetar, apo avokatë të drogës?!”.
Dhe më ka futur mua si botues të gazetës “Koha Jonë”, bashkë me analistët Andi Bushati, Shpëtim Nazarko, Mustafa Nano dhe Ben Blushin si “avokatë të drogës”, pasi sipas tij po mbrojmë ministrin Fatmir Xhafaj.
Së pari, shkrimi dukej i shkruar nga një dorë nxitimthi e nxehur, me mllef dhe pa argumenta.
Nxitimthi, sepse kishte shumë gabime drejtshkrimore, aq sa nga mllefi nuk kanë patur kohë për t’i korrigjuar “argumentat” e tyre në artikullin me titull: “Gazetar, apo avokatë të drogës?!”
Së dyti, nuk marr përsipër të mbroj Ben Blushin, Andi Bushatin, Mustafa Nanon dhe as Shpëtim Nazarkon.
Secili prej tyre mbrohet vetë, bile kanë penë më të hidhur se unë, ndonëse mesa kuptova nuk donin të reagonin fare ndaj një shkrimi të tillë.
Së treti, me duhet të them se qëndrimi i gazetës “Koha Jonë” ndaj rastit të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj ka qenë dhe mbetet i njëjtë: Ministër korrekt dhe si i fundmi i plejadës së socialistëve, pasi rilindasit në selinë rozë e morën kalanë e PS-së.
Së katërti, në lidhje me rastin e të vëllait, Agron Xhafaj mendoj, për aq informacion sa kemi deri më sot, se përgjegjësia mbetet në botën kapitaliste dhe demokratike, krejtësisht individuale. Është njëlloj, ndonëse çdo krahasimi çalon, që sikur Avenir Peka, një nga zyrtarët më korrekt dhe të ndërgjegjshëm që kam njohur në selinë blu, të ndëshkohet apo të penalizohet prej të vëllait të tij, Çim Peka, i cili drejton portalin e “Syri.net”.
Së pesti, raportet e “Koha Jonë” me Ilir Metën dhe LSI. Çdo gazete, apo portal ka një linjë editoriale dhe pavarësi brenda linjës që ndjek. Është gabim, apo jo këtë e vendos lexuesi, i cili të ndjek, ose nuk vjen fare te web-i yt.
Natyrisht që ka edhe portale skandaloze, apo që financohen nga krimi dhe gjejnë mënyra djallëzore për të patur lexues, kjo nuk është ndonjë gjë e re.
Portali “Syri.net” nuk futet në këtë kategori, pasi po të kishim patur informacion nuk do kishim hezituar për ta botuar, pa as më të voglën droje.
Është portal me linjë editoriale opozitare, shumë PD dhe mbetet në të drejtën e pronarit dhe të drejtuesit, Çim Peka se si e mban “shënjestrën”.
Siç kam edhe unë të drejtën time në këtë katrahurë mediatike, të traditës dhe të rrjeteve sociale për të patur një qëndrim editorial.
Apo jo i nderuar artikullshkrues i katit të 14-të të Kullës së madhe përballë TVSH-së?
Tani artikullshkruesi mërzitet se nga njëra anë “Koha Jonë” mbështet Ilir Metën dhe nga ana tjetër bën shkrime pro ministrit Fatmir Xhafaj!
Po pse, sipas “Syrit”, unë duhet të marr leje te Ilir Meta?!
Ilir Meta është President.
E respektoj si person që ka çarë udhën e politikës nga fshatrat e Skraparit, pa asnjë mbështetje.
Nuk e ka patur babain në Komitetin Qendror të Partisë, apo doktor të Udhëheqjes dhe ka bërë histori.
Natyrisht edhe duke gabuar. Por Ilir Meta ka punën dhe udhën e tij. Mundet që Çim Peka ta njohë më mirë, derisa edhe për vrap dalin bashkë me Presidentin.
Dhe sa për të tjerat në LSI do të ishte mirë që drejtuesi i “Syrit” t’i sqaronte më mirë me drejtuesit e LSI, me të cilët pi kafen e mëngjesit, apo ha darkën.
E fundit, mendoj se nuk është etike nga ana e portalit popullor “Syri.net” që të përdorë termin “avokatë të drogës”. Edhe vetë Çim Peka e di mjaft mirë se me atë botë krimi e mafieje, as kam patur e as nuk do kem kurrë punë e lidhje.”
Fijet që lidhen
Për shumë lexues debatet e mësipërme kanë shërbyer jo vetëm si “ushqim sensacional” për të kaluar javën.
Për shumëkënd përplasje të tilla në media dhe jo në politikë mund të tregojnë inate të vjetra ose pozicionime të caktuara.
Mbetet të shohim si do vijojë situata politike e bashkë me të reagimet e opinionbërësve tanë.
(F.G/Faxweb.al)