Kryefamiljari i vilës që ra pre e shpërthimit me tritol mbrëmjen e së shtunës ka rrëfyer tmerrin e përjetuar. Mark Lazër Marku tregon se shpërthimi në vilën e tij në fshatin Guci e Re të Shkodrës u vendos rreth orës 11:45 të së shtunës.
Në momentin e shpërthimit, brenda banesës kanë qenë gruaja e tij, vajza dhe nipi, të cilët fatmirësisht nuk janë lënduar. I marrë në pyetje lidhur me dyshimet se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje, ai ka mohuar të ketë konflikte.
I pyetur nga një portal online më gjerësisht për atë natë, ai ka rrëfyer se tritoli mundet që të jetë vendosur gjatë natës, sepse më parë ka qenë në ballkon dhe nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë. Mësohet se tritoli është vendosur në tri pika të ndryshme, i futur në tre thasë të ndryshëm. Nga këta thasë, njëri nuk ka shpërthyer.
Sipas tij, autorët janë futur nga prapa, pasi kanë prerë telin e shpërthimit. Në atë moment në banesë ndodheshin gruaja e tij, me vajzën dhe nipin, të cilët po flinin në katin e sipërm të banesës, ndërsa kati i parë është shkatërruar nga shpërthimi.
“Dëmi është i madh, sepse është dëmtuar shtëpia e re, por prapë jam i lumtur, meqë më ka shpëtuar familja. Deri tani policia më ka thënë se nuk ka arritur në ndonjë gjurmë të autorëve. Po bëjnë hetime, por deri tani s’më kanë thënë asgjë për ndonjë autor të mundshëm. Unë nuk kam dyshim tek askush.”, është shprehur Mark Lazër Marku. (XH.A/SHUPLAKA)