Ish-ministri i Drejtësisë dhe njëherësh pjesë e grupit parlamentar për hartimin e Reformës në Drejtësi ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News.
3 vite pas ndryshimeve Kushtetuese, dhe miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi. Vasili tha se është mjaft i zhgënjyer nga procesi që pasoi 22 Korrikun e 2016-tës.
“Kam zhgënjime të forta, pasi të tjera gjëra u thanë në momentin e votimit të Reformës në Drejtësi, dhe të tjera gjë janë bërë sot. Pati një protagonizëm të tepruar nga ana e ndërkombëtarëve, e them këtë se ata nuk dolën garant për këtë që po ndodh më pas me Reformën në Drejtësi.
Konsensusi u prish në mënyrë të njëanshme nga ana e Partisë Socialiste. Sot kemi një sistem të drejtësisë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, pyetja që ngrihet është: ku është integriteti i lartë i kësaj trupe gjykuese?”, u shpreh Vasili.
Nënkryetari i LSI-së nuk kurseu as kritikat për ndërkombëtarët, teksa tha se derimë tani nuk është ndjerë asnjë efekt i Reformës, dhe vendi është pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese.
“Arritëm deri në atë pikë sa luteshin njerëzit që të ishin pjesë e institucioneve të Reformës në Drejtësi, pse me fushata do të bëhet kjo? Ne flasim shumë për SPAK-un, po a e dini që janë shkelur afatet kushtetuese për nisjen e tij nga puna. Kush do të japë llogari për këtë?! Makinacionet çonin vetëm një pikë finale, kapjen e Reformës në Drejtësi.
Unë kam një pyetje për të gjithë, jo vetëm për ambasadën amerikane. Cila është drejtësia që po bën drejtësia e re për banorët e Astirit, një aferë korruptive që ka shkuar deri në SHBA, ku u falsifikuan dokumentet e një kompanie.
Është një projekt korruptiv, ku 1 km shkon 40 milionë euro, kemi parë skena ku fëmijëve u janë marrë prindërit nga rruga. Kërcënohen çdo ditë, ndërkohë që hajdutët e vërtetë që donin të vidhnin para, hedhin një tjetër tender të paligjshëm.
Nëse Reforma do të ishte e jashtëzakonshme dhe do të ecte, pse ne ende konsiderohemi vendi më i korruptuar në Ballkan, e thënë kjo edhe nga DASH. Drejtësia për këtë duhet, që të godasë abuzimet dhe korrupsionet që bëhen.
Ka ca pyetje të mëdha të cilëve nuk mund ti fshihemi më? Shqiptarët pyesin se nëse ne paskemi Reformën më të mirë, atëherë pse ne nuk na happen negociatat?”, vijoi Vasili argumentet e tij.
Nënkryetari i LSI-së foli dhe për rastin e Gjykatës së Durrësit, e cila i dha mandatin Valbona Sakos, rast që sipas tij tregoi edhe njëherë tjetër se drejtësia është kthyer në noterizuese të shkeljeve të Ramës.
“Rasti i Durrësit ishte një provë e pastër e kapjes së drejtësisë, se sdo e mendonte askush që një gjykatë të shprehej dy herë për të njëjtën çështje, Në çdo rast në sistemin shqiptar çështja duhet të shkonte në apel. Shteti i së drejtës nuk eksziston më, është thjesht dhe vetëm një certifikuese e vendimeve të qeverisë.
Nuk kam optimizëm për SPAK, sa kohë që është ngritur nga KLP që ka dyshime të forta për lidhje nepotike, siç është rasti i kryetarit të saj, që është kunati i ministres së Mbrojtjes.
Kemi dëgjuar vetëm largime të brand-eve të mëdha, asnjë emër i biznesit të madh nuk ka ardhur në vendin tonë në vitet e fundit. Rezultatet e Reformës mund të maten vetëm me rezultate reale, nuk bëhen me fjalë boshe që përdor qeveria. Kjo historia ka frikë opozita nga reforma është retorikë e kot! Pse të ketë frikë opozita, ne nuk kemi as imunitet dhe nuk mbrohemi nga asgjë”, përfundoi Vasili.