KRIIK Albania, e cila është një nga organizata e pavarura në Shqipëri dhe që monitoron rregullisht proceset zgjedhore, ka mbajtur një qëndrim publik lidhur me zgjedhjet e 30 Qershorit të këtij viti për pushtetin lokal.
Kjo organizatë e cilëson procesin e 30 Qershorit si “hedhje në erë” të gjithë ligjeve për zgjedhjet dhe balancimin e institucioneve.
KRIIK Albania, thotë më tej se me 30 qershorin Shqipëria ka shënuar rekordet më negative në qeverisjen vendore dhe në zbatimin e ligjeve. Në një deklaratë me nota kritike për gjithë klasën politike, theksohet se procesi i 30 qershorit ka shkatërruar gjithë praktikën disavjeçare instituucionale dhe ligjore.
“Me këtë “proces zgjedhor”, “u hodh në erë” edhe mekanizmi i kundër-balancimit politik, praktikisht bi-partizan, në mbarëvajtjen zgjedhore. Mekanizëm i imponuar deri më tani nga establishmenti politik si e vetmja alternativë për mbarëvajtjen normale të një procesi zgjedhor, pavarësisht se sërish nga ky establishment këto procese zgjedhore janë anatemuar si jo demokratike< thekso0het në këtë qëndrim..
Qëndrimi publik i KRIIK Albania
30 Qershori si dështim i klasës politike dhe kërcënim ndaj demokracisë
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka ndjekur në vijueshmëri, që prej miratimit të Kodit Zgjedhor të vitit 2008, proceset zgjedhore dhe proceset institucionale të lidhura me to.
Pas reformës zgjedhore të vitit 2012, KRIIK, në bashkëpunim apo në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë performancën dhe të gjitha mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha seancat dhe çështjet e trajtuara prej Kolegjit Zgjedhor, përgjithësisht punën e komisioneve të administrimit zgjedhor të niveleve të dyta dhe të treta përgjatë gjashtë proceseve zgjedhore të ndodhura si dhe gati të gjitha proceset e tjera institucionale e politike të lidhura me integritetin e procesit zgjedhor.
Po në këtë vazhdë, KRIIK ndoqi me shumë vëmendje dhe në vazhdimësi zhvillimet politike e institucionale në vend pas zgjedhjeve parlamentare 2017, si edhe ecurinë e përgatitjeve dhe të mbarëvajtjes së procesit të Zgjedhjeve Lokale 2019, veçanërisht menjëherë pas dekretimit të tyre prej Presidentit të Republikës më datë 5 Nëntor 2018.
Ecuri, e cila mes kundërshtish të forta politike, ligjore e institucionale, u konludua tashmë institucionalisht me konstitutimin e Këshillave Bashkiakë në të 61 Bashkitë e vendit dhe me marrjen e mandatit prej Kryetarëve të Bashkive në 60 prej tyre.
Procesi i 30 Qershorit 2019, i konsideruar “Zgjedhje” apo “Votime”, ka passjellë tanimë mandatimin e qeverisjes vendore të re, pavarësisht se është e pamundur të vlerësohet si një proces zgjedhor ku u evidentua shprehja e vullnetit të lirë e demokratik. Kjo për shkak se, ndër të tjera, u shënua një administrim totalisht i njëanshëm politik me shkelje jo të pakta ligjore, si dhe rezultoi realisht një proces gati tërësisht pa garim duke përbërë kështu de facto një emërim politik të qeverisjes vendore.
Kësisoj, në vijueshmëri të monitorimit të kryer për rreth një dekadë, në konsideratën e KRIIK, ky proces i ashtuquajtur zgjedhor shënoi përmbylljen e një serie dështimesh të klasës politike vendase.
Madje ky dështim i fundit i klasës politike i faturoi vendit edhe dështimin në tre përpjekje madhore institucionale. Pas procesit të 30 Qershorit të këtij viti, vlerësohet se në planin afatgjatë tanimë Shqipëria përballet me një mungesë të kapacitetit ligjor-institucional për të mbajtur zgjedhje me integritet. Përspektivë afatgjatë kjo që përballet së sotmi edhe me zhbërjen e qeverisjes vendore si një pushtet i decentralizuar si dhe me pamundësinë e një dialogu serioz politiko-institucional, mungesa e të cilit ka sjellë radikalizimin e përballjes politike duke u përpjekur për të instaluar një krizë kushtetuese permanente.
* * *
Dëmi më i parë i përvojës zgjedhore të 30 Qershorit, por edhe i precedentëve të tjerë negativë të vendosur përgjatë proceseve të mëparshme zgjedhore, është zhbërja definitive e tërë kuadrit ligjor përkatës, institucioneve përgjegjëse dhe traditës zgjedhore sipas Kodit Zgjedhor të vitit 2008. Një kod që jo vetëm prej KRIIK dhe organizatave të tjera vendase, por edhe prej misioneve vëzhguese ndërkombëtare është vlerësuar në thelbin e tij si i pranueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, prej një dekade ky Kod është veshur në vijimësi me keq-lexime të vullnetshme në zbatim dhe me sjellje institucionale partizane ose jo-profesionale. Mangësitë që mbart ky Kod në rregullimet që kryen, janë përdorur sipas interesit politik të ditës dhe mos-zbatimi i tij është kryer sipas dakordësive të ngushta bi-partizane. Gjendje kjo e mbartur e tillë në vazhdimësi qëllimisht edhe nëpërmjet mos-adresimit të problematikave në proceset e reformave zgjedhore, duke zgjedhur gjithmonë kryerjen e korrektimeve kozmetike apo duke i dështuar tërësisht këto procese reformuese të nisura.
Me këtë “proces zgjedhor”, “u hodh në erë” edhe mekanizmi i kundër-balancimit politik, praktikisht bi-partizan, në mbarëvajtjen zgjedhore. Mekanizëm i imponuar deri më tani nga establishmenti politik si e vetmja alternativë për mbarëvajtjen normale të një procesi zgjedhor, pavarësisht se sërish nga ky establishment këto procese zgjedhore janë anatemuar si jo demokratike. Një mekanizëm ky tejet problematik dhe i kritikuar, pasi mënjanon aktorët e tretë politikë apo civilë nga administrimi, ankimimi apo investimi institucional në funksion të përmirësimit të integritetit të proceseve zgjedhore.
Në mënyrë paradoksale, vlerësohet se edhe procesi i 30 Qershorit 2019 mbarti një “dakortësi” bi-partizane të rradhës. Kjo “dakordësi” rezultoi të amputonte të vetmen siguresë të mbetur në proceset zgjedhore për të qenë demokratike, që ishte kundër-balancimi politik. Pasi u arrit për dekada të monopolizohej procesi zgjedhor nga bi-partizanizmi në administrimin e tij dhe në “çertifikimin” e rezultatit, me standardin e ri të vendosur, procesi u mundësua të jetë tashmë edhe krejt unilateral. Nëse deri më tani marrëveshjet bi-partizane ishin kritikuar si jo-gjithëpërfshirëse, jo-transparente, anti-institucionale dhe anti-ligjore, me këtë precedent edhe dakordësia bi-partizane u mënjanua si domosdoshmëri. Me procesin e 30 Qershorit, në shoqërinë shqiptare u imponua mënjanimi i tërë aspiratave demokratike përballë rrezikut të krizës që thellohet gjithmonë e më shumë.
Në kontekstin e një shoqërie pa mekanizma mbrojtës, si shoqëria civile dhe institucione të forta, dakordësia bi-partizane nga e anatemuar do jetë zgjidhja më e dëshirueshme përballë krizave që kërcënojnë në horizont. Në këtë kontekst të dhënë, demokracia shqiptare duket se është bjerrur në moment ekzistencial. Mekanizmi kushtetues i Republikës së Shqipërisë në thelbin e tij duket tashmë i pajetë, sepse pas 30 Qershorit rotacioni mekanik zgjedhor, po orientohet drejt një rotacioni mirëfilltazi autokratik, me një “biletë dyshe” qeverisje qendrore-vendore së bashku. Projektimi shtetformues i një demokracie liberale kushtetuese banalizohet kështu në një dyluftim elektoral ku “fituesi i merr të gjitha”.
Situatë kjo në të cilën bien tërë parimet e një demokracie kushtetuese si kontroll dhe balancë, transparenca vendimmarrëse, llogaridhënia ndaj qytetarëve, ligjzbatimi, e të tjera si këto.
* * *
Marrëdhënia kushtetuese e qeverisjes vendore me atë qendrore, në vijimësi të qeverisjes së vendit është de-natyruar.
Ilustruese për këtë de-natyrim kushtetues, është përfshirja e të dy pushteteve në proceset zgjedhore të njëri-tjetrit duke përcaktuar qendrimet e Kryebashkiakëve dhe i përfshirë ata sipas skalioneve përkatëse politike.
Pas 30 Qershorit, kjo mbivendosje e të dy pushteteve u rëndua duke e shndërruar qeverisjen vendore në një zgjatim të qeverisjes qendrore.
Përpjekjet disa vjeçare për forcimin e kësaj qeverisje, që kërkonin ta sillnin sa më afër qytetarit dhe larg debatit politik, si më e fundit Reforma Administrative-Territoriale apo të tjera, tanimë duket se janë nul.
Vertikalizimi i pushtetit pa prezencë opozitare, në kontekstin vendas të ligjzbatimit dhe sjelljes institucionale, paraqet një rrezik shumë të lartë për qeverisjen vendore.
Mbetet në vullnetin e të mandatuarve të rinj të qeverisjes vendore dhe në rolin e aktorëve vendorë, sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirjes në vendimmarrjen vendore.
Nga ana tjetër, përballë këtij vertikalizimi pushteti dhe një opozite të angazhuar në një konflikt në rend madhor, problematikat e përditshme të jetesës së qytetarëve në nivel mikro, rrezikojnë të mbeten të pazëshme dhe të pambështetura politikisht.
* * *
Në situatën aktuale, në gjykimin e KRIIK, për hir të nulizimit të precedentëve absurdë dhe antiligjorë të vendosur tanimë, nevojitet të merret në konsideratë shkrirja e trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e Kolegjit Zgjedhor, si dhe nisja e punës për hartimin e një Kodi të Zgjedhor të ri.
Pas disa përpjekjesh për reformë zgjedhore, të dështuara në dakordësi bi-partizane dhe në kontekstin e sotëm institucional gati kritik, ndërmarrja e reformës zgjedhore është e një rëndesë aspak të lehtë, por ndërkohë përbën një domosdoshmëri urgjente.
Reforma Zgjedhore nevojitet të jetë e vetmja sipërmarrje që të konkurojë në vëmendje me Reformën në Drejtësi dhe me Luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kaluar kësisoj në plan të dytë sipërmarrjet e tjera madhore të shtetit shqiptar.
Reforma zgjedhore e rradhës duhet të shërbejë si një mundësi për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe forcimin e procesit konsultativ në procesin legjislativ.
Për këtë arsye, Reforma Zgjedhore nevojitet të ndërtohet mbi një platformë afatgjatë dhe mbi standarde të qarta.
Zgjedhjet e 30 Qershorit provuan që dakordësitë politike pas dyerve të mbyllura, pa transparencë, në minutat e fundit, të përsëritura njëra pas tjetrës si zgjidhje e krizës së rradhës, passjellin anomali të paprecendenta të përvojave demokratike si ky në fjalë.
Reforma zgjedhore duhet të jetë një proces model dhe i projektuar në një afatgjatësi për adresimin e vazhdueshëm edhe të problematikave të ardhshme, përpos atyre të deritanishme.
Në përfundim, KRIIK sjell në vëmendje dhe iu bën thirrje të gjithë aktorëve se Zgjedhjet e 30 Qershorit 2019, për aq sa meritojnë të quhen të tilla, nuk mund të jenë në asnjë rast laku që të mbajë peng shoqërinë dhe institucionet shqiptare në një spirale të krizës kushtetuese dhe të një retorike radikale.
Rasti i 30 Qershorit ishte provë kaparosje e dështimit të demokracisë apo dhe e projektit shtetformues shqiptar. Megjithatë, si tërë momentet e krizave të mëdha, ky proces mund të konsiderohet si një moment vendimtar dhe si një mundësi për ri-ngritje, por ku nevojitet që shoqëria shqiptare të tejkalojë vetveten dhe të dalë nga spiralet problematike të tërë tranzicionit. Në rastin e vendit tonë, ky dështim është mundësi për të ri-filluar denjësisht përpjekjet për të mbajtur proces zgjedhor me integritet dhe të gjithëpranuar.
Pas përvojës së fundit, shoqëria shqiptare duhet të qartësohet e bindur se demokracia dhe projekti shtetformues nuk mund të pritet më prej dakordësisë bi-partizane politike apo thjesht prej presionit të partnerëve gjeostrategjikë.
Dialogu i vazhdueshëm dhe real me qytetarin, ligjzbatimi dhe forcimi i institucioneve, janë e vetmja zgjidhja reale për qytetarët që të jenë vetëvendosës.
Klasa politike, e sinqertë ose jo, parimore ose jo, nuk mund të vazhdojë të përdorë interesin e qytetarëve thjesht si kryefjalë të retorikës së tyre.
Në gjykimin e KRIIK, tanimë, pikëpyetjet dhe kundërshtitë mbi 30 Qershorin duhet të ndjekin rrugët institucionale, në pritje të shqyrtimit prej Gjykatës Kushtetuese, me tërë efektet që mund të passjellë ky shqyrtim.
Klasës politike i mbetet përgjegjësia e lartë kombëtare të tregohen të maturuar dhe të nisin pa vonesë dialogun e të gjejnë kompromisin dhe zgjidhjen e duhur për vendin dhe të ardhmen e demokracisë.
Njëkohësisht, mbetet sfidë dhe detyrë për ta angazhimi maksimalisht për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe për nisjen e një Reforme Zgjedhore gjithëpërfshirëse, ashtu sikundër mbetet e domosdoshme që të shprehen dhe të angazhohen fortë e qartë në luftën pa kompromis kundër korrupsionit të çdo niveli dhe krimit të organizuar.
Tërë energjitë dhe ekspertiza e forcave politike në vend duhet të shtyjnë përpara me urgjencë këto dy reforma, si një domosdoshmëri për të ringjallur shpresën qytetare në progresin e vendit. Nga ana tjetër, politika shqiptare duhet të heqë dorë nga retorika shterpë në mungesë të argumentave, në anatemim e kundërshtarëve dhe në injorimin e vullnetit real qytetar.
E përditshmja e qytetarëve shqiptarë vazhdon të rrjedhë e përballur me problematika madhore dhe me një cilësi jetese në nivel kritik.
Dështimi i një force politike apo dhe i tërë klasës politike, kurrësesi nuk mund t’i ngarkohet apo të vuhet nga qytetarët shqiptarë. Janë këta të fundit që përpos shqetësimeve nga ku politikëbërja e ka zhytur shoqërinë shqiptare, po vuajnë gjithashtu edhe mungesën e shpresës për zgjidhje dhe një të ardhme më të mirë.
E tashmja dhe ardhmja e qytetarëve shqiptarë pas 3 dekadave nuk mund të jetë në pritje të dakordësive politike, apo më keq të atyre që rezultojnë të jenë “pazare” politike.
Nëse klasa politike aktuale është e paaftë së paku të prodhojë dialog serioz politik e institucional të mbështetur në parime, pa përmendur institucione të forta apo të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve, fati i kësaj klase politike duhet të jetë tërheqja apo largimi.
Tiranë, më 23 Gusht 2019!