Policia e Tiranës ka arritur të vërë në pranga 4 persona të cilët akuzohen se kanë marrë shuma të konsiderueshme nga drejtues automjetesh në këmbimi të të targe me numra të njejtë.
Sipas policisë, këta persona merrnin nga 300 deri në 1000 euro për regjistrim targe. Ndër të arrestuarit është edhe Arjan Elezi, me detyrë specialist pranimi në sallën e rregjistrimit të mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor.
Gjatë arrestimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 50000 lekë, të përfituara për regjistrimin e një targe.
Në njoftimin e policisë thuhet:
Tiranë
Opercioni policor i koduar “Targa e bukur” nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në pranga Specialisti i Rregjistrimit të Mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor dhe Sekseri, pasi i kërkuan pronarit të një automjeti një shumë monetare në këmbim të pajisjes me targë me numra të njëjtë.
Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Targa e bukur”, arrestuan në flagrancë shtetasit :
– Arjan Elezi, 38 vjeç, banues në Tiranë (specialist pranimi në sallën e rregjistrimit të mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor).
– Sefer Myftari, 31 vjeç, banues në Tiranë ( në rolin e sekserit, i dënuar më parë për veprën penale “Deklarim i rremë).
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin (shtetasi Sefer Myftari luante rolin e sekserit ), i kanë kërkuar pronarit të një automjeti një shumë monetare prej 50 000 lekë të reja në këmbim të pajisjes së automjetit me targë me numra të njëjtë.
Gjithashtu në momentin e kapjes në flagrancë shtetasve të mësipërm iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma monetare prej 50 000 lekë të reja e përfituar në mënyrë të kundraligjshme .
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. E., dhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit S. M.
(B.B/ Faxweb.al)