Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 34-vjeçar, i cili është administrator i një shoqërie punësimi. Ky arrestim vjen pas publikimit të një video denoncuese në emisionin “Stop” të televizionit Klan.
Miratim Mezini akuzohet se i ka marrë një shumë prej 320 euro një qytetari dhe e ka pajisur atë me certifikatë trajnimi për përfundimin e kursit profesional, ndërkohë që nuk i është nënshtruar testimit teorik dhe praktik.
DETAJET E POLICISË
Seksioni për Hetimin e Korrupsionit pranë Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në D.V.P. Tiranë, pas videos së publikuar më datë 04.09.2017 në emisionin “Stop” të televizionit Klan, më datë 05.09.2017, ndaloi shtetasin : – Miratim Mezini, 34 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi ky shtetas me detyrë administrator i një shoqërie punësimi, duke i marrë një shumë prej 320 euro një shtetasi e ka pajisur atë me certifikatë trajnimi për përfundimin e kursit profesional, ndërkohë që nuk i është nënshtruar testimit teorik dhe praktik.
Nga hetimet e kryera rezulton se certifikata e lëshuar nuk është pasqyruar në rregjistrat e amzës.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
– 70 certifikata kursi profesional.
– 2 rregjistra Amze.
Materialet iu Referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale ” Korrupsion pasiv në sektorin privat ” dhe ” Fallsifikimi i dokumentave “, parashikuar nga nenet 164/b dhe 186 të Kodit Penal. (D.D/Shuplaka)