Shëndeti i shqiptarëve dhe sëmundjes që na marrin jetën janë ktheyer në një temë rëndësishme ditët e fundit. Debatet dhe fokusi kryesor kanë qenë identifikimi i shkaktarëve që na sjellin këto sëmundje të rënda. Edhe gazetari Denis Dyrnaja ka ngritur këtë shqetësim duke theksuar se 4 mijë vdekje në vit vetëm nga kanceri është një bilanc lufte jo sëmundshmerie.
“Një mesazh për jetën tonë! Së fundi ka patur një reagim mediatik edhe pse sporadik për problemet tona të jetesës dhe shëndetit. Personalisht inkurajoj çdo media dhe gazetar të flasë, të kryejë raportime dhe investigime serioze dhe të bazuara në prova dhe fakte për cilësinë tonë të jetesës dhe shëndetit. Vlerësoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e fëmijëve dhe familjarëve tanë, se jeta jonë, të cilën duke ndenjur indiferent e kemi përçmuar deri në degradim, aq sa kemi arritur në pikën ku asgjë që konsumojmë nuk është e sigurt. Nuk janë të sigurta ushqimet dhe cilësia e tyre, nuk është i sigurt uji që pimë dhe ajri që thithim. Media duhet të kthehet në promotore e kësaj problematike dhe jo të mbetet një faktor indiferent dhe sporadik.
4 mijë vdekje në vit vetëm nga kanceri është një bilanc lufte jo sëmundshmerie. A ka problem më madhor sesa fakti që çdo vit të ikin 4 mijë jetë , rreth 20% e të cilëve moshë e re. Heshtja përballë këtij realiteti, është si mosveprimi për të parandaluar një krim. Hapësirat mediatike duhet të përdoren për të mirën publike dhe jetën e popullatës. Nuk ka mision më madhor se jeta, ndaj duhet të flasim pa reshtur për të. Të mbrosh jetën nuk është asnjëherë shumë, nuk është asnjëherë e tepruar. Miq e kolegë të merremi me jetën tonë, ky është nder, ky është dinjitet!”, shkruan gazetari Denis Dyrnaja. (J.V/Shuplaka)