Nje tjetër operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza bllokoi një gomone me drogë ditën e djeshme.
Policia bën me dije se operacioni antitrafik u zhvillua mbasditen e djeshme nga Policia Kufitare dhe GdF. Pas afro 4 orë ndjekje nga Policia Kufitare dhe GdF u bllokua një gomone me tre shtetas në bord.
Policia theksoi se gjatë mbasdites së datës 03.12.2016, nga shërbimet e përbashkëta të Policisë Kufitare e Migracionit dhe të Guardia di Finanza, u diktua nje gomone me ngarkesë të dyshuar lëndë narkotike e cila po lëvizte me shumë shpejtësi drejt Italisë. Sasia e lëndës së bllokuar kap shifrën e 400 kilogramëve.
Reagimi i plotë :
‘’Si rezultat i operacionit të përbashkët, pas rreth 4 orë ndjekje me personel e mjete lundruese të të dy palëve(Policisë Kufitare dhe GdF), u bë e mundur kapja e saj në orën 21.05, rreth 16 milje larg bregdetit shqiptar.
Gomonia ishte 10 m e gjatë, me 2 motorra x 135 kf, në bordin e së cilës u gjetën dhe arrestuan, 1 shtetas shqiptar dhe 2 shtetas Italian me gjeneralitetet e mëposhtme:
E.T, 22 vjeç, nga Vlora
G.T, 42 vjeç, nga Brindizi Itali,
A.M, 41 vjeç, nga Brindizi Itali.
Në vendin ku u kap gomonia deri tani janë gjetur në det 15 pako të mëdha me lëndë narkotike e llojit cannabis sattiva.
Po vijon puna e përbashkët për zbardhjen e plotë të këtij rasti trafiku ndërkombëtar droge’’.