Italia është një treg mjaft i preferuar për lojtarët shqiptarë, luajnë qoftë edhe në Seria B. Berat Gjimshiti ishte lojtari më i mirë në fushë në ndeshjen e fituar 1-0 nga Avelino në fushën e Pizës së Rei Manajt, Edgar Çanit dhe Samir Ujkanit.
Mediat italiane e kanë vlerësuar qendërmbrojtësin e Kombëtares shqiptare me notën 7, më e larta e takimit.
“Nuk humb asnjë dyluftim, luan me qetësi dhe zgjuarsi. Sot ishte ndër më të mirët”, shkruan portali sportiv “Tuttomercatoweb.com” në komentin për 24-vjeçarin e lindur në Zyrih.
Ndërkaq, në kampin e të humburve, portieri Ujkani u vlerësua me notën 5.5: “Kapet në befasi te goli i pësuar, kur Laverone ia fut topin mes këmbëve”.
Nota 5 për Rei Manajn, me arsyetimin: “Përpiqet të krijojë rrezikshmëri duke u përballur me qendërmbrojtësit kundërshtarë, por në fakt nuk gjuan asnjëherë në portë”.
Për Edgar Çanin, i cili zuri pikërisht vendin e Manajt në minutën e 64-t, nota 5.5: “E bën më të fizikshëm sulmin, por nuk arrin të prishë ekuilibrat”. (E.K/SHUPLAKA)