Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e dy ditëve më parë në Patos ku mbeti i plagosur si pasojë e një atentati nga 5 të dyshuar, 29-vjeçari Klajdi Sulo. Faxweb.al mëson se Sulo ka qenë shënjestër e një rrëmbimi të organizuar nga të rinjtë njëri prej të cilëve është arrestuar sot, ndërsa janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.
Gazetarja e Fax News, Fatmira Bajrami raporton se 4 personat e shpallur në kërkim kanë tentuar ta fusin me forcë në njërat nga makinat që kishin, ndërsa Sulo ka rezistuar duke mundur t’iu dilte nga duart dhe ka nisur të vrapojë pasi e ka kuptuar rrezikun.
Pas kësaj njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 29-vjeçari duke i dhënë një plumb në pjesën e legenit dhe një tjetër në shpatull, si pasojë e plagëve të të cilëve, sot ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Mësohet se 5 herë është qëlluar në drejtim të Sulos ndërsa kanë arritur ta kapin vetëm 2 plumba. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me 4 makina të ndryshme, diçka e cila klë të kuptohet se është bërë për tu humbur gjurmët.
Nuk ka një arsye të përcaktuar nga se ka lindur gjithë konflikti që ka çuar në një ngjarje të tillë ndërsa më herët, konfirmojnë burimet, i plagosuri dhe njëri nga autorët kanë pasur një mosmarrëveshje dhe përplasje për motive të dobëta.
Policia e Fierit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të 17 gushtit të këtij viti ku një 31-vjeçar të identifikuar si Klajdi Sulo, është plagosur me armë zjarri. Blutë bëjnë me dije se është arrestuar njëri prej autorëve si dhe janë identifikuar e shpallur në kërkim katër të tjerë.
Personi i arrestuar është Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos ndërsa në kërkim janë E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katër banues në Patos.
“Personat e mësipërm, në datën 17.08.2020, rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Klajdi Sulo, i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve. Për këtë ngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja pistolete, si edhe 4 automjete të autorëve.”, thotë policia.
Burime nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar se 31-vjeçari është parë të lëvizë shpesh gjatë ditës kur ndodhi atentati në rrugën e qytetit të Patosit, me makinën e tij. Sipas burimeve personat e përfshirë në këtë ngjarje kishin debatuar edhe para 4 ditësh.
Ngjarja e kësaj të hënë ka ndodhur në po të njëjtin vend ku rreth katër muaj më parë pati edhe një shkëmbim me armë zjarri.
(F.GJ/FAXWEB.AL)