Selim Çekaj, babai i biznesmenit Arbër Çekaj, i cili është dënuar me 14 vite burg në gusht të këtij viti po për trafik kokaine ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij por Apeli i Posaçëm ka refuzuar ta lirojë nga qelia.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit ka nisur disa herë seancat për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Selim Çekaj.
Avokati i Selim Çekaj, Maks Haxhia në seancën e kaluar kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Dhimitër Lara, pasi mendon se ai nuk do të japë një gjykim të drejtë.
Sipas Haxhisë edhe vetë prokurori i çështjes tha se nuk kishte prova ndaj Selim Çekaj, por që gjykata vendosi sërish ta mbajë në fuqi masën “arrest me burg”.
Selim Çekaj, është administrator i firmës Ecoalmax, e cila ndodhet në zonën e Maminasit, që lidh Tiranën me Durrësin. Sipas hetuesve babë e bir, Selim dhe Arbër Çekaj kanë përdorur të njëjtën skemë për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine, duke përdorur biznesin e bananeve për t’u kamufluar.
Procesi ndaj Arbër Çekajt ka marrë një vëmendje mjaft të madhe në vendin tonë, ku seancat në ngarkim të tij janë ndjekur dhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në vendin tonë, ndërsa Donald Lu e konsideroi biznesmenin e bananeve një ”peshk të madh”.