5 atentate dhe një vrasje makabre kanë tronditur vendin në harkun kohor të 30 ditëve në Shqipëti. Nis më 7 Gusht në rrugën “Kosova” në Kamëz, ku shenjestër ishte Preng Paluca, i cili mbeti i plagosur rëndë, por plumbit si shpëtoi as bashkëshortja, Antoneta Paluca e cila famtirësisht mori vetëm një gërvishtje të lehtë në këmbë.
Ngjarja ndodhi në afërsi të banesës së tyre ku sapo kishin futur automjetin brenda oborrit. Në mjet ndodhej ulur në sediljen e pasme edhe vajza e tyre e mitur 15 vjeçe, që u bë dëshmitare e gjithë skenës kriminale. Kanë qenë dy persona të maskuar në një autoveturë me xhama të errët që kanë ndjekur makinën me të cilën po lëvizte çifti. Këta të fundit po ktheheshin nga Kamza ku kishin marrë vajzën e tyre. Ngjarja dyshohet të ketë ardhur për hakmarrje. Atentati është bërë me armë me silenciator, asnjë person i dyshuar, asnjë në pranga.
Më 9 Gusht Paulin Harusha 23 vjeç bie pre e një atentati, teksa po qarkullonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë. Persona të armatosur i dalin para automjetit duke e qëlluar me armë zjarri. I riu pasi është plagosur, ka mundur që të shkojë vetë në qendrën shëndetësore për të marrë ndihmën e parë nga bluzat e bardha. Hetimet kanë ndeshur vështirësi për shkak se Harusha ka deklaruar se nuk i ka njohur agresorët. Megjithatë blutë e kryeqendrës së veriut kanë bërë ndalimin e Nikolin Koçeku, 37 vjeç, vëllai i Kujtim Koçeku, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Dora e krimit godet në Berat, ndaj Tajar Fetiut që mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës. Ngjarja u regjistrua në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, teksa Fetiu po ecte në këmbë në rrugicën e shtëpisë së tij. Një person e ka qëlluar 6 herë me pistoletë, ndërsa bashkë me një person tjetër janë larguar në rrugicat e lagjes pa u parë. Policia ka ka shpallur në kërkim dy shtetasit e dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje përkatësisht Arnold Azizolli dhe Amarildo Dule, të dy nga 30 vjeç, të dy banues në Berat.
Por teksa rrethanat për kryerjen e një vepre të tillë penale janë të paqarta, ka qenë zbardhja e telefonatave dhe mesazheve të gjetura në telefonin e shenjestrës ato që çuan në zbulimin e autorëve. Tajar Fetiu jetonte prej vitesh në Londër por kthehej çdo vit gjatë stinës së verës për pushime ku qëndronte kryesisht në Tiranë. 6 herë u qëllua ndaj tij nga të cilat 2 plumba i mori në bark.
Vrasja e Xhuljan Bullarit është ngjarja më komplekse mes të gjithave pavarësisht se autori kryesor i dyshuar, 39-vjeçari Bledar Selmanaj ndodhet në burg. Autori dhe viktima ishin njohur në qeli pasi të dy kishin precedent. Të dy ishin nisur nga Tirana drejt Vlorës, por makina në pronësi të nuses së dajës së Xhuljanit, devijon për në fshatin Babicë.
Aty dyshohet të jetë qëlluar në befasi nga miku i tij dhe pistë kryesore është droga dhe mosmarrëveshjet e krijuara nga tregtia e saj. Selmanaj nuk pranon krimin, ndërsa hetuesit kanë vërejtur qëndrime kontradiktore ku ka dyshime që 39 vjeçari të ketë probleme të shëndetit mendor. Atij i është gjetur arma që dyshohet se ka kryer krimin në oborrin e banesës si dhe rrobat që kishte veshur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.
Ai u arrestua pak ditë pas ngjarjes në Tiranë dhe hetuesit ranë në gjurmët e tij pas zbulimit të tabulateve telefonike. Selmanaj njihej si një “hajdut serial” në kryeqytet. Pak ditë pas ngjarjes, ai shtirej në rrjetet sociale duke qenë aktiv, madje paraqiste veten si biznesmen, veprim që dyshohet të jetë bërë për të shmangur vëmendjen.
Në Lushnje rikthehet imazhi i bandave të rreth dy dekadave më parë me një të vrarë dhe 5 të plagosur. Viktima u identifiku menjëherë si Bledar Muça pronar i lokalit “Pedonale” në zemër të qytetit ku edhe ndodhi vrasja. Autorët ishin të pamaskuar dhe qëlluan nga xhamat e një automjeti që pas ngjarjes u gjet i djegur me gjithë armën e përdorur në krim brenda.
Të plagosur disa prej të cilëve rëndë, ishin qytetarë të pafajshëm si Judin Velo kunati i viktimës që ndodhej me të në tavolinë, njohur për afërsinë me të ashtuquajturën banda e “Hakmarrjes për Drejtësi”, Ervis Tafa, Sara Liçi, Majlinda Gjyla dhe Sara Cauli. Ende nuk ka shenja apo gjurmë të autorëve për të cilët nuk përjashtohet mundësia të kenë qenë vrasës me pagesë.
Në Malësinë e Madhe ekzekutohet 58 vjeçari Sokol Çelaj. Breshëri “Kllashnikovi” u zbrazën në drejtim të tij mbrëmjen e të Enjtes në afërsi të banesë që ndodhet në fshatin Reç.
Viktima ishte duke lëvizur me një makinë tip “Benz” me targa angleze së bashku me bashkëshorten, kur u qëllua nga një person i maskuar i cili i kishte zënë pritë.
Nga 6 të shtëna me armë zjarri mbeti i plagosur rëndë 58-vjeçari, ndërsa shpëtoi fatmirësisht gruaja e tij. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit të Shkodrës, por nuk mundi dot të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.
Dyshohet se ngjarja ka ardhur për hakmarrje ndërsa bashkëshortja e viktimës thotë se autorët ishin të maskuar dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Sokol Çelaj ka qenë ish-efektiv policie dhe rezulton se në vitin 1989, beri disa vite burg pasi vrau një person, ngjarje e cila u cilësua si aksidentale. Çelaj kishte pak kohë që ishte kthyer nga Anglia ku jetonte prej vitesh./Fatjon Gjinaj-Fax News