Presidenti Ilir Meta ka nderuar sot me rastin e 5 Majit Dëshmorët e Atdheut.
Presidenti bëri homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, dhe vendosi kurora me lule te Monumenti “Nëna Shqipëri”.
Meta është shprehur për mediat se është një ditë e veçantë për popullin shqiptar, sepse është dita e dëshmorëve të lirisë.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar, sepse është Dita e Dëshmorëve të lirisë, të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në radhë të parë.
Është dita e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që bënë sakrificat më sublime për t’i rikthyer lirinë dhe pavarësinë vendit, por njëkohësisht edhe për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në atë anë ku për fat të mirë ndodhemi edhe sot. ” u shpreh Presidenti Meta
Presidenti Meta shtoi se sot është një ditë reflektimi për të vendosur në plan në parë interesat e vendit dhe të ardhmes europiane përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
“Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht dhe që të nderojmë vërtet ashtu siç duhet kujtimin e të gjithë atyre, të cilët kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime, për të ardhmen e Shqipërisë.” përfundoi Meta.
(j.b/faxweb.al)