Teksa fondi i investimeve publike në buxhetin e shtetit shënoi një rekord të ri këtë vit me rreth 136 miliardë lekë (1,3 miliardë euro), shpenzimet faktike në këtë zë gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024 ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2016.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në janar-maj 2024 shpenzimet kapitale ishin në nivelin e 20,4 miliardë lekëve, më të ulëtat e tetë viteve të fundit. Nga ana tjetër, qeveria këtë vit ka miratuar buxhetin më të madh historik për investimet kapitale, duke e rishikuar këtë zë më rritje me ndryshimet që iu bënë buxhetit 2024.
Deri në fund të majit ishte shpenzuar vetëm 15% e fondit vjetor të vënë në dispozicion për investimet kapitale. Shpenzimet kapitale faktike ishin 26% më të ulëta se plani i periudhës dhe 15% më të ulëta se fakti i së njëjtës periudhë të vitit të mëparshëm.
Mosrealizimi i investimeve kapitale sipas planit përveçse ul eficiencën e zërit më produktiv të buxhetit të shtetit dhe po bëhet shkak edhe për deformimin e treguesve të tjera makroekonomikë. Qeveria e ka shndërruar në praktikë realizimin e gjysmës së fondeve të investimeve në muajin e fundit të vitit.
Ekspertë të politikave monetare pohojnë se kjo sjellje e qeverisë në shpenzimet kapitale po bëhet shkak edhe për deformimin e kursit të këmbimit. Investimet kapitale janë një instrument me peshë në injektimin e parave në ekonomi. Përqendrimi i tyre vetëm në muajt e fundit të vitit po ndikon negativisht në rënies së euros pohojnë ekspertët.
Ekspertët brenda enteve publike pohojnë se është rritur frika në mesin e zyrtarëve publikë nga arrestimet e SPAK në dy vitet e fundit.
Drejtorët dhe juristët po hezitojnë të firmosin fondet që në të shkuarën ishin dhënë në manipulim të rregullave, siç edhe kanë evidentuar hetimet.
Institucionet financiare ndërkombëtare, nga ana tjetër, kanë rritur shqetësimet se menaxhimi i kornizës së investimeve publike përballet me dobësi në të gjitha fazat, që nga klasifikimi i projekteve e deri te zbatimi i tyre.
Edhe ky vit është duke përforcuar precedentin e përdorimit të fondeve të investimeve publike në muajt e fundit të vitit, duke vënë në diskutim eficiencën e përdorimit të tyre.
Rastet e bujshme që ka zbardhur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vërtetojnë se abuzimi me fondet publike në zërin e investimeve ka përmasa kolosale.
Ekzistojnë raste të tilla si inceneratorët ku është abuzuar me një pjesë të madhe të fondit për investimin, teksa kostot e kontratave koncesionare në shëndetësi janë fryrë mbi 50%.
Marre nga Monitor