Leva dhe shufra hekuri janë përdorur mbi shefin e stacionit të pikës kufitare në Vlorë.
49-vjeçari Sadi Ceka është dhunuar me sende të forta nga tre persona të cilët janë ende të paidentifikuar nga policia.
Ceka ka qenë duke hyrë në banesën e tij në lagjen 1 Maji të qytetit të Vlorës, rreth orës 01.00 të ditës së mërkurë, kur i kanë zënë pritë duke e goditur me sende të forta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Personat, sipas informacioneve të para, kanë qenë të maskuar, ndërsa drejt 49-vjeçarit ata kanë gjuajtur edhe me shufra hekuri.
Të afërm të shefit kanë lajmëruar policinë duke kërkuar ndihmë nga uniformat blu, ndërsa pas mbërritjes së këtyre të fundit, Ceka është dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
49 vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithatë duke parë goditjet e marra në trup dhe kokë, ai pritet të qëndrojë disa ditë nën kujdesin e mjekëve. Plagët e marra janë kryesisht në pjesën e kokës, ku siç bëjnë më dije edhe bluzat e bardha 49-vjecari është qepur 5 herë në kokë si dhe ka fraktura në duar dhe pjesë të tjera të trupit, shkruan ”Shekulli”.
Hetimet
Ndërkohë policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave përgjegjës dhe arrestimin e autorëve, ndërsa mes një njoftimi zyrtar ka konfirmuar se 49-vjeçari nuk ka qenë në shërbim në momentin e ndodhjes së ngjarjes. Ndërkohë burime nga policia kanë konfirmuar për gazetën se janë pesë personat e shoqëruar për ngjarjen në fjalë, nga deponimet e të cilëve pritet të hidhet më shumë dritë rreth asaj çfarë ndodhi pranë banesës së tij por dhe në identifikimin e autorëve.
Hetimet janë përqendruar në pistat që lidhen me detyrën e 49-vjeçarit Ceka, por edhe ndonjë grindje që ky i fundit mund të ketë patur kohët e fundit me persona të caktuar. Sadi Ceka nuk ka dashur të flasë për mediat apo të shprehet rreth ngjarjes, ndërsa në deponimin e tij në polici ka konfirmuar se nuk i ka njohur personat, lidhur kjo edhe me faktin se ata kanë qenë të maskuar në momentin e ushtrimit të dhunës ndaj tij. 49-vjeçari ka konfirmuar se nuk ka patur probleme me persona të caktuar. Vetë ky i fundit në deponimin e tij në polici ka konfirmuar se ka qenë duke hyrë në banesën e tij, në momentin, kur tre persona e kanë qëlluar menjëherë duke mos i lënë mundësi për tu shmangur apo të kundërveprojë.
Pavarësisht se jam mundur të mbrohem- ka theksuar ai në polici-goditjet e tyre kanë qenë të forta, në kokë por edhe në trup. Më pas kemi njoftuar policinë dhe kam mbërritur në spital. 49-vjecari ka theksuar se nuk ka patur probleme, ndërsa detyrën e tij e ushtron prej disa vitesh duke mos patur shqetësime apo kërcënime të ardhura në adresë të tij. Ndërkohë Ceka ka evituar deklaratat në media duke mos dashur të shprehet rreth ngjarjes dhe besuar në zbardhjen e saj nga policia. Sadi Ceka kryen detyrën e shefit të stacionit të pikës kufitare në Triport prej vitit 2014. Ndërkohë emri i 49-vjeçarit nuk rezulton të jetë përmendur për ndonjë tjetër ngjarje, ndërsa nga informacionet e siguruara në Triport mësohet se Ceka ishte një person i qetë dhe i përkushtuar ndaj detyrës.
Verifikimet
Sipas të dhënave të policisë së Vlorës është bërë me dije se është marrë dëshmia e plotë ditën e djeshme të të dhunuarit. Po ashtu janë sekuestruar një sërë mjetesh komunikimi për të parë nëse bëhet fjalë për ndonjë komunikim të dyshimtë kohëve të fundit. Po ashtu mësohet se shefi i kufirit ka treguar me detaje në polici të gjithë momentin e sulmit ndërsa si zakonisht në raste të tilla ai ka refuzuar të konkretizojë dyshime aq më tepër ndonjë emër apo person real. Burimet e prokurorisë tregojnë se hetimet janë përqendruar në pistën e ushtrimit të detyrës aq më tepër kur bëhet fjalë për një shef të një pike kufitare në zonën e Vlorës, një prej qarqeve me tendencën e trafikimit të drogës më të madhen në vend për të paktën tri vitet e fundit. Gjithashtu mësohet se po kërkohen edhe dëshmi vartësish dhe të njohurish të shefit të sulmuar të policisë!