Detaje nga vrasja e 50-vjeçarit Ardian Nikulaj, biznesmeni që u qëllua në lokalin e tij me 7 plumba, nga një autor ende i paidentifikuar.
Saga e ekzekutimeve në Shqipëri, zgjodhi të mërkurën e datës 19 prill, ku në një lokal në Shëngjin ndodhi një tjetër krim, motivet e të cilit mbeten të pazbuluara.
Ngjarja ka tronditur familjarët e Nikulajt dhe sigurinë e qytetarëve, duke qenë se ndodhi në mes të ditës, ndaj një biznesmeni të suskesshëm, i cili ka kandiduar për deputet në zgjedhjet e 2021 dhe do të kandidonte në Këshillin e Bashkisë për zgjedhjet e 2023.
Filmimi: Nga video e siguruar për FaxNews, shihen çastet e fundit të Nikulajt, i cili është qëlluar shtatë herë me një pistoletë TT dhe nga sa u raportua, të paktën disa prej plumbave e kanë kapur në trup dhe në kokë.
Në filmim, shihet Ardian Nikulaj i cili ka qenë ulur në lokalin e tij, në krahë të djathtë të derës, të cilit i vjen një telefonatë dhe përgjigjet.
Punë sekondash dhe rreth orës 13:23 me një gjakftohtësi, autori futet në lokalin “Coral”, duke përshëndetur të pranishmit (të afërm të Nikulajt), madje pyet vetë viktimën “si je?”, që duket i habitur nga pamja e autorit, fytyra e të cilit nuk dukej prej maskës në fytyrë dhe me kaskën në kokë.
Ekzekutori, afrohet pranë biznesmenit dhe pa ndaluar qëllon drejt tij nga një distancë shumë e shkurtër. Pamjet e rënda tregojnë, se si goditjet fatale të plumbave i kanë dhënë fund jetës së Ardian Nikulajt.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, autori largohet sërish, në dukje i qetë, ndërsa shihet një nga të afërmit e biznesmenit te dera e lokalit, i cili i shokuar i hapë rrugën.
Pas banakut në lokal shihen dhe dy persona të tjerë të cilët, menjëherë sapo ka filluar seria e plumbave janë larguar pas një hapësire e cila nuk duket në kamera.
Kush ishte Ardian Nikulaj: Lindur më 31 tetor të vitit 1972 në Lezhë, babai i katër fëmijëve. Deri në vitin 2003, emri i tij ka qenë Ardian Marku, të cilin e ndërroi në Ardian Nikulaj.
Në vitin 1998 ka emigruar në Novara të Italisë dhe gjatë vitit 2000, prej hasmërisë me fisin Balaj, është vrarë vëllai i tij, Pëllumb Nikulaj.
Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ për zgjedhjet parlamentare, 50-vjeçari ka pohuar se është dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje më 24 nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 dhjetor të vitit 2006, me gjobë për falsifikim.
Ka mbajtur disa poste në administratën lokale si drejtor i OSHEE-së dhe ALUIZNIT dhe prej vitit 2019, ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.
Nikulaj ishte një figurë e njohur në zonë, si një biznesmen në fushën e hoteleri turizmit, ku zotëronte disa biznese, përfshirë bar-restorant “Coral”-in ku e ekzekutuan.
Përpos kësaj i përfshirë dhe në sferën politike, ku ka qenë kandidat i Partisë SocialDemokrate në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Kandidati numër 1 në listën për Lezhën, ku arriti të mbledhë 97 vota. Gjithashtu ka qenë në kandidaturë për Këshillin Bashkiak të zgjedhjeve që priten të mbahen më 14 Maj.
Dëshmia e banakierit dhe rojes: Vrasja e Ardian Nikulajt, detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit të mërkurën e datës 19.
Roja dhe banakieri i lokalit, personat e pranishëm në momentin e krimit kanë treguar dinamikën e ngjarjes dhe japin përshkrimin e tyre për autorin.
Banakieri i lokalit “Coral”, tregon që autori ka qenë rreth190 cm i gjatë, i shëndetshëm dhe me një veshje të trashë, ku sipër rrobave mbante një jelek jeshil dhe në çantën me rrip të lidhur në trup mbante dorën.
Banakieri tregon se i ka pyetur “si kalut”, por nuk ia ka fiksuar fytyrën, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sakaq, një detaj është dialekti i autorit, i cili sipas banakierit nuk dukej nga jugu, por nga Shqipëria e Mesme ose Veriu.
Roja i lokalit, tregon se autori ka ardhur pas tij dhe i ka thënë të largohet. Sipas tij, ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulajt, ka patur zë të trashë, por theksin nuk mund t’ia mbante mend.
Banakieri: Rreth orës 13 e 27 minuta unë kam qenë në banak, dhe i ulur në tavolinën përballë ka qenë pronari Ardiani, i vetëm. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup.
Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt.
Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor.
Roja: Isha brenda lokalit dhe po përshëndeta pronarin Ardianin i cili sapo kishte ardhur dhe u ul në tavolinë. Në ato momente erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë.
Ai më tha veç “largohu” dhe hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit dhe qëlloi ndaj tij. Autori ishte i gjatë, trup i mbushur, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend.
Autori: Personi që vrau biznesmenin Ardian Nikulaj, me gjithë kërkimet e bëra nga FNSH dhe policia, mbetet i paidentifikuar. Nga pamjet filmike dhe fjalët e të pranishmëve në ngjarje, autori thuhet se është rreth 190 centimetra i gjatë.
Detaji që tërheq vëmendjen tek ai, është jeleku fosforishent, poshtë të cilit janë disa veshje, ku ka dyshime që mund të ketë patur dhe një jelek anti-plumb.
Si mjet ka zgjedhur një motor Skuter me targa të falsifikuara.
Ndërkaq, banakieri i lokalit hamendëson që mund të jetë nga Shqipëria e Mesme ose Veriu, kjo prej dialektit të autorit kur i ka pyetur “si e kalut”.
Ai ka patur një çantë në trup, ku sipas burimeve mbante pistoletën TT , të cilën e nxorri sapo iu afrua biznesmenit. Autori ka udhëtuar nga Shkodra në Lezhë, po me Skuterin, për tre ditë radhazi.
Pra, nga informacionet e paraqitura deri më tani, theksi i vendodhjes kryesore të autorit, i cili ka patur gjatë gjithë kohës një maskë në pjesën e gojës, lidhet me Shkodrën.
Pistat e hetimit: Pasi kreu ekzekutimin, autori rezulton të jetë larguar sërish me motorin e tij me targa të huaja. Nga vëzhgimi i pamjeve filmike, ka përshkuar itinerarin e rrugës nacionale nga Shengjini në drejtim të Lezhës, deri në fshatin Kakarriq.
Megjithatë, prej mungesës së kamerave të sigurisë, është bërë i pamundur zbulimi i plotë i intenerarit që autori mund të ketë kryer.
Ka qenë dhe fisi B(P)alaj, i cili është konsideruar për një hetim të imtësishëm nga Grupi Hetimor, që ka bërë kërkime, por të cilat nuk ka dhënë rezultat, pasi e verifikuar nga sistemi TIMS, të rinjtë dhe pjesa e madhe e tyre ndodhen jashtë vendit.
Pas 2 ditësh nga vrasja e biznesmenit, Grupi Hetimor ka zbuluar një tjetër pistë që niset nga një histori e 3 viteve më parë.
Në atë kohë, Marsel Kolndreu është rrahur barbarisht me shkopa bejzbolli, nga djali dhe nipat e të ndjerit Nikulaj.
Këtë ka rrëfyer babai i Marsel Kolndreut, i cili thotë se ngjarjen e rëndë e ka marrë vesh nga lajmet dhe gjithashtu, është i gatshëm, së bashku me fëmijët e tij të përballet me çdo procedurë dhe t’i përgjigjet familjes së biznesmenit, për çdo gjë lidhur me çështjen.
Babai i Marsel Kolndreut: Fëmijët e mi kanë pasur konflikt me Nikulajt. Ma kanë rrahur djalin barbarisht para 3 vitesh me shkopa bejzbolli. E ka rrahur djali i Ardian Nikulajt dhe nipat. Iu kam çuar njerëz dhe iu kam thënë që pse ma rrahët djalin në këtë formë. Ardiani na është përgjigjur ‘rrini mirë’.
Lajmin e vrasjes e kam marrë vesh nga lajmet dhe jam i gatshëm të përballem bashkë me fëmijët e mi se nuk kam lidhje me ngjarjen. Jam i gatshëm ti përgjigjem familjes Nikulaj që nuk kam lidhje me këtë ngjarje.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, tha për FaxNews se ngjarja mund të kishte dhe pista politike, po jo domosdoshmërisht duhet të jenë prioritet. Për Softën, janë aktivitetet e Nikulajt brenda dhe jashtë vendit më tepër faktorizuese.
Eksperti: Mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm në analizën e kësaj ngjarje. Fushata është cenuar dhe krijon një lloj pasigurie për këdo në garë për të kandiduar.
Rrethanat që ka ndodhur ngjarja lidhen me individin, identitetin dhe aktivitetet që kryente. Ka një sërë pistash, madje dhe ajo politike, por nuk mund të jetë prioritare, për shkak të identitetit të personit dhe problematikave që mbarte.
Aktivitetet e tij që shtriheshin jashtë dhe brenda territorit shqiptar, janë faktorët të cilët duhen të ngrihen pistat e hetimit, pa mohuar pistat e tjera.
Dyshimet: Nikulaj është vëzhguar në dy javët e fundit nga dy persona, ku një nga ta dyshohet se mund të ketë patur dhe lidhje me biznesmenin, duke qenë se vrasësi nga pamjet filmike duket sikur ka patur një farë sigurie në vendodhjen e Nikulajt.
Mësohet se dy javë para vrasjes së Nikulajt, një automjet tip “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit, ku dy persona të panjohur kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si lapidari dhe më pas janë larguar.
Vetëm 3 ditë para vrasjes së Nikulajt, një automjet tip “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, i cili ishte vënë në ndjekje të tij dhe të shokut të tij që i shoqëronte.
Grupi hetimor ka dyshime se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona, ku dy prej tyre kanë luajtur rolin e vëzhguesve.
Autori dyshohet se është vrasës me pagesë, thënë kjo prej gjakftohtësisë në kryerjen e veprës, të cilën rrethanat e largimit mund të hedhin dyshime dhe për një vrasës profesionist.
FNSH dhe policia kanë vijuar ditën e sotme kontrolle në zonë dhe në disa pika hyrëse-dalëse, por pa ndonjë gjurmë nga autori që ekzekutoi biznesmenin Nikulaj.
Njoftimi i Policisë: Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi Ardian Nikulaj 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.
(Xh.H/FAXWEB)