52 fshatra të Memaliajt janë pothuajse të izoluar për shkak të rrugëve me gropa të shumta, pelgjeve me ujë, baltave masive dhe përmbytjeve nga ujërat e zeza.
Për të tregtuar prodhimet e tyre në tregun e Memaliajt, banorët e zonave të largëta u duhet që të udhëtojnë shumë orë në këmbë, derisa të arrijnë atje. Edhe pse Bashkia e Memaliajt ka përfshirë në buxhetin e vitit 2017, vetëm rikonstruktimin e 5 rrugëve rurale më kritike, duket mjaft e pafuqishme që ta ndryshojë gjendjen e qytetit të vogël jugor.
Nënkryetari i Bashkisë Memaliaj, Fetah Hoxha shprehet se 45% e banorëve në këtë bashki janë pa rrugë dhe se Bashkia nuk ka mundësi që t’i rregullojë ato, për shkak të buxhetit të vogël që zotëron.
“45% e banorëve në këtë bashki është pa rrugë që lidh fshatrat me njësinë administrative. Ndërsa njësitë administrative me Bashkitë kanë rrugë, por edhe ato nuk janë në standardet e kohës. Kjo situatë është e hershme, ka shumë vite. Duke qenë të copëtuara, Bashkitë nuk kanë mundur t’i ndërtojnë këto rrugë. Tani bashkia e re, pas ndarjes territoriale, jep mundësinë të ndërhyjmë në këto rrugë. Pothuajse pjesa më e madhe e fshatrave janë rrugë, kanë një rrugë sa për të qenë, që nuk i plotësojnë standardet për të kaluar një makinë. Në rast se u bien reshje, ato bllokohen. Ne kemi filluar që me buxhetin e 2015, që të ndërhyjmë në disa rrugë. Por ende ka shumë për t’u bërë. Këtë vit presim aprovimin e buxhetit, në mënyrë që të parashikojmë se ku mund të ndërhyjmë”, shprehet Hoxha.
Në këtë zonë mungesa e investimeve prej vitesh është mjaft e dukshme sepse jeta e këtyre banorëve është përkeqësuar, ndërsa Memaliaj që dikur konsiderohej qyteti i minatorëve, tani është kthyer në qytetin e “të papunëve dhe të braktisurve”.(K.P/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”953″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]
Discussion about this post