Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar votimet e fundit në Këshillin Bashkiak, ku disa nga këshilltarët e LSI-së votuan pro projekteve të propozuara.
Ai u shpreh në “Top Story” se bëhet fjalë për vendime individuale të këshilltarëve të LSI-së, ndërsa theksoi se ajo që ishte jo e zakontë në këto mbledhje kishte të bënte pikërisht me mosmbajtjen e fjalës nga ana e LSI-së dhe një lloj koordinimi i grupimeve të tjera në Këshill për të bllokuar vendimarrjen.
“Në mbledhjet e para ne e kishim të koordinuar që pavarësisht se çfarë ndodh në politikën e madhe, Tiranës do t’i japim mbështetje. Pra ne i kishim të koordinuara votat unblock të koalicionit tonë original
Ajo që ishte habi ishte mosdhënia e votës dhe jo dhënia e votës nga 1,2,3 dhe tani 4 këshilltarë. Pra mosdhënia e votës në grup kur ishte dakordësuar vota në grup.”
Në këtë sens Veliaj ka bërë edhe dallimin mes LSI-së që drejtohej nga Meta dhe asaj të tanishmes që drejtohet nga Kryemadhi.
“Ajo që është për t’u habitur është jo katër këshilltarë me ndërgjegje pozitive për qytetin që votuan dhe që janë bashkuar tani me grupin socialist, ajo që është për t’u habitur është mosmbajtja e fjalës e cila duhet ta pranojmë, nuk ndodhte në kohë të Ilir Metës. Në qoftë se Ilir Meta thoshte “po është po”, në qoftë se thoshte “jo është jo” dhe qëndronte “Po”-ja dhe “Jo”-ja siç ishin thënë në fillim. Ndërkohë fatkeqësisht nuk ka vazhduar kështu dhe…”
Sipas tij, Meta ishte një njeri që i qëndronte fjalës, ndryshe nga bashkëshortja e tij. Veliaj ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se koalicionin e ri opozitar do ta ketë përballë.
“Kemi dakordësuar, po për të vazhduar punët në Tiranë. Në momentin që është zbuluar që një anëtar i këshillit ka qenë sëmurë ose ka qenë jashtë Shqipërie për një nevojë, menjëherë “Po”-ja është bërë “Jo” sepse është parë si një moment oportun për të rrëzuar Kryetarin e Bashkisë.
Kjo nuk është bashkia ime, kjo nuk është zyra ime, është zyra e qytetarëve të Tiranës. Nga kjo zyrë sigurisht merren vendime, por kjo të paktën për mijëra fëmijë që kanë hyrë në këtë zyrë vetëm gjatë periudhës së festave kanë kuptuar që ky është ambienti më i hapur i këtij qyteti kur vjen puna për të mirën e këtij qyteti. Kështu që të sabotosh këtë zyrë nuk është sabotim ndaj meje, është sabotim ndaj punës që po ecën në Tiranë. Megjithatë unë e mirëkuptoj. Janë në një situatë të re politike, nuk mbaj mëri, thjesht do të preferoja “fair play”. Me Ilir Metën kishte “fair play” kur drejtonte partinë, “Po”-ja ishte “Po”, “Jo”-ja ishte “Jo”.” është shprehur Veliaj.(M.Q/Faxweb)