Anëtarët e Komisionit të Ligjeve mbajnë 1 minutë heshtje për kryekomisarin Dritan Lamaj, i vrarë si sot 7 vite më parë.
Ka qenë deputeti Alket Hyseni ai që ka propozuar mbajten e 1 minute heshtje, dhe shtoi se duhet sekuestruar sa më parë pasuria e krimit, që shtiu dhe mbi komisarin.
Kujtojmë se Dritan Lamaj, u vra në shkurtin e 2013-tës në Tiranë, ndërsa për ngjarjen është dënuar biznesmeni Arben Frroku, vëllai i të cilit, Marku ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe koleg me Hysenin.
Si i shpëtoi Arben Frroku burgimit në Shqipëri:
Arben Frroku, i fajësuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt 2013, i shpëton burgimit të përjetshëm. Një gjykatë holandeze vendosi të njohë dënimin e dhënë në Shqipëri ndaj tij, duke e ndryshuar masën e dënimit nga i përjetshëm, në 18 vjet heqje lirie. Frroku kërkoi njohje të dënimit shqiptar, pasi pala holandeze refuzoi kërkesën e tij për ekstradim në Shqipëri. Për shkak të kohës së gjatë të paraburgimit, pjesa më e madhe e dënimit prej 18 vitesh burg është konsumuar. Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për vrasjen e komisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Arben Frroku u arrestua fillimisht në Greqi, vetëm pak kohë pas ngjarjes. Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm dhe pas këtij vendimi ai u largua nga Shqipëria, por Apeli e dënoi me burgim të përjetshëm.
Arben Frroku u arrestua në Holandë në Prill të vitit 2016 me dokumente të falsifikuara greke me identitetin Renato Xhepa. Ai u kap në provincën Shiphol pranë aeroportit ndërkombëtar të Amsterdamit. Pas arrestimit të tij, ka patur një proces të gjatë gjyqësor për ekstradimin e Frrokut drejt Shqipërisë.
Përfundimisht, Gjykata e Apelit në qytetin e Hagës vendosi që të mos ekstradojë Arben Frrokun në vendin tonë, me argumentimin se procesi gjyqësor i zhvilluar në Shqipëri, ka pasur probleme dhe vendimi mund të ketë qenë i ndikuar politikisht. Pas rrëzimit të ekstradimit, Ministria shqiptare e Drejtësisë ka kërkuar që dënimi të zbatohet në Holandë.
Arben Frroku është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit më 29 qershor 2015. Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Frroku ishte shpallur i pafajshëm. Por, kur Apeli e dënoi përfundimisht me burgim përjetë, Arben Frroku ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk gjendej. Dy ditë pas këtij vendimi, autoritetet shqiptare e shpallën atë në kërkim ndërkombëtar.
Vendimi i Apelit
Në qershor të vitit 2015 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dënoi me burg përjetë Arben Frrokun, i cili akuzohej për vrasjen e Dritan Lamajt. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për të dhënë këtë dënim është bazuar në argumentet e paraqitura prej prokurorisë, të cilat nuk u morën parasysh nga Shkalla e Parë. Organi i akuzës kërkoi ndryshimin e vendimit për pafajësinë e Frrokut, duke deklaruar se Gjykata e Shkallës së Parë, në mungesë të një transparence, jashtë seancës gjyqësore, ka arritur në konkluzione, të cilat do të duhej të diskutoheshin gjatë debatit gjyqësor, mbi kërkesën e palëve apo kryesisht, lidhur me këqyrjen e CD-ve që lidhen me pamjet e vendit të ngjarjes dhe rrugëve rreth saj. Gjithashtu, akuza pretendon se në këtë gjykim nga ana e gjykatës është refuzuar që të merren prova mbi kërkesën e tyre, prova të cilat lidheshin me dëshmitarin e mbrojtur Arben Ndoka dhe që kishin të bënin mbi kërcënimet që i bëheshin familjes së tij, para dhënies së dëshmisë në gjykatë apo dhe me dekonspirimin e identiteteve të tij të bëra prezent nga i pandehuri në një intervistë televizive.
“Në konkluzionet përfundimtare të datës 18.03.2015, renditëm provat të cilat në harmoni me njëra-tjetrën, provonin më së miri tej çdo dyshimi kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohej i pandehuri Arben Frroku. Së pari, identifikuam motivin, i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjes me armë të viktimës.
Së dyti, provuam mekanizmin e kryerjes së kësaj vrasjeje, si numrin e personave, mjetet e përdorura, itinerarin e ndjekur prej tyre.
Së treti, provuam praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes, e konkretisht në rolin e ekzekutorit. Së katërti, rrëzuam alibinë e tij lidhur me qëllimin e vajtjes së tij të menjëhershme në Greqi natën e ngjarjes, ku vëllai i tij, Mark Frroku, ndryshoi dëshminë dhe së pesti provuam mundësinë e largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit deri në momentin e kalimit të tij në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë-Korçë”, renditi prokuroria.