Plot 71 biznese të mëdha janë kallëzuar në Prokurori për përfshirje në aktivitete të jashtëligjshme si edhe për mashtrim financiar.
Kallëzimi është bërë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, sipas të cilës dëmi që këto biznese i kanë shkaktuar buxhetit kap vlerën e 5 milionë dollarëve.
Sipas televizionit “Top Channel”, dëmi është zbuluar pas një periudhe tremujore kontrollesh, të përqëndruara vetëm tek bizneset e mëdha.
Kompanitë e zbuluara janë të shtrira në të gjithë territorin e vendit dhe kanë kryer vepra të ndryshme penale si fshehje e të ardhurave, kontrabandë, moslëshim kuponi, punësim i paligjshëm dhe mospagim taksash. Megjithatë, shkelja më e madhe mendohet të ketë qenë krijimi i një skeme masive mashtrimi me rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, në të cilën kanë qenë të përfshirë 46 subjekte.
Bazuar në të dhënat e Prokurorisë, kjo skemë ka funksionuar përmes krijimit të kompanive fantazmë, të cilat kanë lëshuar fatura fiktive shitjeje për biznese blerëse me aktivitet real. Këto të fundit, përmes faturave të lëshuara nga kompanitë fantazmë kanë rimbursuar TVSH-në duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. (D.D/Shuplaka)