Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ashtu sikurse edhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim informues dhe konsultues me bizneset që kanë detyrimin për të dalë në tregun e lirë të energjisë.
Në mbështetje të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike, OSHEE ka evidentuar 73 subjekte të lidhura në rrjetin 35 kV të cilat duhet të respektojnë këtë detyrim për të gjetur mundësinë alternative të furnizimit dhe shkeputur nga operatori publik.
Aktualisht ka përfunduar procesi i instalimit të matësave në këto subjekte dhe po vazhdon miratimi i kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm që këto biznese të mund të furnizohen në tregun e lirë.
Gjatë diskutimeve që u realizuan, Ministria e Energjisë dhe Industrisë pranoi kërkesën e këtyre bizneseve për tu dhënë pak më shumë kohë në dispozicion për shkëputjen nga OSHEE. Afati i mundshëm i përfundimit të të gjithë këtij procesi do të jetë data 30 Qershor 2017. Ligji përcakton gjithashtu afatin dy mujor në të cilin këtyre subjekteve u garantohet furnizimi nga OSHEE në cilësinë e furnizuesit të mundësisë së fundit. (E.K/SHUPLAKA)