3 të rinj ishin viktimat e një atentati mafioz të ndodhur mesditën e të dielës në mbikalimin e Fushë Krujës, ndërsa pas 2 ditësh policia është ende larg gjurmëve të autorëve, që vepruan me precizion dhe nuk lanë pas asnjë gjurmë.
Gazetari i Fax News Elvis Myrta, i ftuar në studion e lajmeve, u shpreh se pamjet filmike janë ato që po kqyren me intesitet të lartë nga policia, për të gjetur gjurmë të autorëve. Myrta tha se janë rreth 80 kamera sigurie që janë sekuestruar, nga aeroporti i Rinasit ku viktimat kishin pirë kafen e fundit, te zona ku ndodhi dhe atentati.
“Janë sekuestruar 80 kamera sigurie, 60-65 orë pamje filmike që do të analizohen nga eksprtët e policisë së shtetit. Kamerat e sigurisë janë te dhënat ku është fokusuar më së shumti tani policia, Autorët kanë qenë të përpiktë, pasi nuk kanë lënë gjurmë as në vendngjarje, as në mjetin që u dogj totalisht. Policia vijon marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni me ngjarjen, lidhur me konflikte të mundshme që viktimat kanë pasur”, tha gazetari.
Sa i takon objektivit, edhe pse u tha se ishte Brilant Martinaj, burime nga grupi hetimor thonë se autorët nuk kanë dashur të lënë gjallë asnjë prej 3 të rinjve.
“Është thënë që objektiv ka qenë Brilant Martinaj, por nga të dhënat që unë kam marrë nga grupi hetimor, autorët në fakt kanë pasur synim eleminimin e të treve. Brilant Martinaj, përveçse kushëri i Vis Martinaj, ishte dhe krahu i tij i djathtë, Diklen Vata njihej si bodyguard i Brilant Martinaj, për shtetasin Besmir Hoxha, ata kanë qenë duke pirë kafe në Rinas, nuk dihet nëse kishin pritur dikë, apo kishin përcjellë. Nga marrja në pyetje e personave që kanë pasur dijeni, apo konflikte me të rinjtë, numri i të shoqërurarve është 75 persona, është një masakër dhe vinte në një moment deri diku qetësie’, u shpreh Myrta, ndërsa shtoi se pista kryesore për ngjarjen është ajo e hakmarrjes.
Sipas gazetarit, për grupin e Ervis Martinajt, kushëri i parë i Brilantit njërit prej viktimave, që prej ngjarjes së Bllokut nuk ka pasur qetësi. Vetë Martinaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, se ai kishte porositur vrasjen e Indrit Dokles, ish anëtari i bandës së Durrësit, që i shpëtoi me manovra dënimin me burg të përjetshëm.
Dokle kishte lidhje familjare me Xhelal Reçin, ish efektiv policie i cili u vra rreth një vit më parë në Laç, e për ngjarjen u dyshuan asokohe njerëz të afërt me Martinajt. Edhe pse kjo ngjarje ishte një vrasje më shumë në dosjen e të pazbardhurave.
“Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, grupi i Vis Martinajt, që pas ngjarjes së Bllokut ka pësuar sulme të vazhdueshme. Ka disa kundërshtarë, deri tani hetuesit kanë dyshime që ka lidhje me vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi në Lezhë. Grupi i Martinajt ka pasur një konflikt me Endrit Doklen, i cili i shpëtoi dënimit me burg të përjetshëm, viktima e Laçit është krushk i Indrit Dokles. Në rastin e Xhelal Reçit ai ka bërë kallëzim dhe nuk është marrë asnjë masë nga policia, një vit e gjysmë më pas ai u ekzekutua”, tha gazetari në studion e Fax News.
Brilant Martinaj ishte në masë sigurie dhe për vrasjen e Xhuliano Prelës në Laç, efektiv policie, po në rrethana të paqarta gjykata rrëzoi akuzat ndaj tij, dhe e la të lirë.
Për ngjarjen është në arrest një i ri, i cili pretendon se është i pafajshëm.
Pavarësisht dhjetra shoqërimeve, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të masaktrës së Fushë Krujës, që të paktën deri tani mendohet të jenë vrasës me pagesë. Shuma e përdorur për porositjen e këtij atentati ëhstë e konsiderueshme, duke marrë paraysh numrin e lartë të qitësve që morën pjesë, si dhe dy mjetet e përdorura, dhe armët që po ashtu u gjetën të shkrumbuara.
(E.K/Faxweb.al)