Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri ka reaguar lidhur me rinegocimin që Ministria e Energjitikës bëri sot sa i përket marrëveshjes me TAP.
Sipas ministrit Damian Gjiknuri, nga ky rinegocim Shqipëria përfiton edhe 80 milionë euro më tepër, por gazetari është i mendimit se kjo gjë vjen si meritë e kryeministrit grek Alexis Tsipras dhe ish-kryeministrit Sali Berisha se sa si meritë e qeverisë aktuale.
“Shqipëria nuk po merr përfitime shtesë nga Gazsjellesi TAP sepse Ministria e Energjisë negocioi dhe i mbrojti më mirë interesat kombëtare se sa qeveria e kaluar. Ky është thjesht një rishikim automatik i parashikuar në marrëveshjen ekzistuese. Ndaj nëse ka dy njerëz që meritojnë kredite për këto përfitime shtesë që mori Shqipëria sot ata janë Aleksis Cipras dhe Sali Berisha. Ironikisht dy kundërshtarët më të medhenj të qeverisë aktuale”, shkruan Tomorri në postimin e tij në Facebook.
Postimi i plotë i Klodian Tomorrit:
“Ministria e Energjisë deklaroi sot se falë rinegocimit që ajo i bëri marrëveshjes me gazsjellesin TAP, Shqipëria do përfitojë mbi 80 milione euro shtesë krahasuar me marrëveshjen e qeverisë së mëparshme.
Perfitimet janë të vërteta, ndërsa pretendimi i Ministrisë se këto përfitime i kemi falë negociatave të saj nuk është. Ministria qëllimisht harron të përmendë disa detaje si më poshtë:
Në marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e mëparshme me TAP ka qenë e parashikuar se Shqipëria përfiton automatikisht çdo përfitim shtesë që merr Greqia. (Fletore zyrtare nr 61, viti 2013)
Pak kohë më parë qeveria greke rinegocioi marrëveshjen me TAP, një premtim elektoral i Syrizës, duke marrë përfitime shtesë. Ndaj marrëveshja që nënshkroi sot Ministria e Energjisë nuk është asgjë tjetër veçse reflektim automatik i përfitimeve shtesë të Greqisë.
Pra, si përfundim; Shqipëria nuk po merr përfitime shtesë nga Gazsjellesi TAP sepse Ministria e Energjisë negocioi dhe i mbrojti më mirë interesat kombëtare se sa qeveria e kaluar.
Ky është thjesht një rishikim automatik i parashikuar në marrëveshjen ekzistuese. Ndaj nëse ka dy njerëz që meritojnë kredite për këto përfitime shtesë që mori Shqipëria sot ata janë Aleksis Cipras dhe Sali Berisha. Ironikisht dy kundërshtarët më të medhenj të qeverisë aktuale”.
Në takimin e organizuar me TAP sot në Tiranë, u firmos marrëveshja, që sipas Ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, do tisigurojë Shqipërisë rritje të të ardhurave për tatimet si dhe rritje të mbështetjes së TAP për kompaninë shqiptare të gazit Alb Gaz.
Kontrata e nënshkruar nuk do të jetë e përjetshme, pasi pas 25 vjetësh Shqipëria do të mund të negociojë marrëveshjen. (A.R/SHUPLAKA)