Nëntë vite më parë, pikërisht më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur.
Në orën 15:48 të asaj dite, Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën përmes së cilës Kosova shpallej shtet i pavarur dhe demokratik.
Deklarata e pavarësisë u votua unanimisht nga 109 deputetët e pranishëm.
“Kosova ka për qëllim anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.”; “Kosova zotohet për paqë dhe stabilitet,”; “Kosova do të obligohet që të pranojë edhe pajtimin si pjesë të procesit për stabilizimin e gjendjes.”; “Kosova tregon gatishmëri për vendosjen e marrëdhënieve të mira me të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë.”, citohej ndër të tjera në tekstin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës.
Me shpalljen e pavarësisë, Kosova u bë shteti më i ri në botë, një shtet që ende sot vazhdon përpjekjet për anëtarësim në strukturat ndërkombëtare. Me formë qeverisje Republikë Parlamentare dhe një popullsi rreth 1,825,632 banorë, kjo ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, u bë vendi i fundit që fitoi mëvetësinë pas shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate.
Kosova u shpall Republikë në vitin 1990 dhe shtet i pavarur në vitin 1991, por s’mundi të jetësonte pavarësinë e saj në rrethanat e pushtimit ushtarak serb, pushtim që zgjati plot një dekadë, nga viti 1989 deri në 1999-ën.
Gjatë viteve 2006-2007 u organizuan dhjetëra takime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kjo në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës, mirëpo pa sukses. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dështoi në dy raste për të miratuar një rezolutë për statusin e Kosovës.
Sot në 9-vjetorin e saj, ky shtet i ri është njohur nga mbi 110 vende në mbarë botën, megjithatë vijon të hasë kundërshtimin e Serbisë, shtetit që pretendon sovranitetin mbi të gjithë territorin kosovar. Edhe sot e kësaj dite, marrëdhëniet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të acaruara, ndikuar nga ngjarjet më të fundit, si ai i arrestimit të beftë të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, bazuar në urdhër-arrestin serb dhe në trenin serb me motive nacionaliste.
“Krahina e Kosovës shpalli pavarësinë nga Serbia të dielën. Dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë vërshuan nëpër rrugë për të festuar atë që ata shpresojnë se ështe fundi i një lufte të gjatë dhe të përgjakshme të vetëvendosjes kombëtare. Pas një luftë civile që vrau 10.000 njerëz një dekadë më parë dhe vitet e harresë nën sundimin e Kombeve të Bashkuara – përbënë episodin e fundit në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Britania, Franca dhe Gjermania priten të jenë të parët për të njohur kombin e ri sa më shpejt, që të hënën, ndërsa vendet e tjera, nga frika e lëvizjeve separatiste brenda kufijve të tyre, kanë thënë se do të refuzojnë. Rusia kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shpallur deklaratën “i pavlefshëm”.” shkruante ndër të tjera më 18 Shkurt 2008 “New York Times”, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. (XH.A/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1137″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]