Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka bërë thirrje mjekëve që të bashkohen në luftën kundër koronavirusit.
Këtë thirrje e pati bërë edhe me herët Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu teksa ftoi mjekë dhe student të ofrohen për të dhënë kontributin e tyre në situtatën e pandemisë që po kalon vendi ynë.
Balla bëri me dije se të parët që i janë përgjigjur ftesës së Ministrisë janë pesë deputetë, përkatësisht: Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho.
Postimi i plotë:
“Mjekët dhe infermierët janë vendosur në vijën e parë të betejës. E megjithatë, çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë.
Thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale drejtuar të gjithë mjekëve të licensuar, ndër aplikuesit e parë që janë përgjigjur pozitivisht janë pesë kolegët deputetë Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho.
Kush është i të gatshëm të kontribuojë në menaxhimin e situatës, sot është pikërisht dita për ta dhënë atë kontribut dhe ky kontribut mund të jepet me veprime konkrete. Për llafe dihet kë kemi.
Situata e krijuar nga COVID-19 është padiskutim një sfidë e një natyre të veçantë, që ka në zemër të saj bashkëpunimin e shumëanshëm me çdo individ. Në këtë çast, sistemi shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë.
Çdokush që mendon se mund t’i japë një dorë sistemit shëndetësor është i lutur të aplikojë sa më parë sepse sa më parë ta fitojmë këtë betejë, aq më shpejt do mund t’i rikthehemi rutinës dhe normalitetit të jetëve tona”.
Discussion about this post