Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komentuar për aksionin e SHÇBA për të asgjësuar 1000 bimë narkotike. Në një reagim nga Gjirokastra për gazetaren e Fax News Ervina Shehaj, Lleshaj foli edhe për pezullimin nga detyra të punonjësve të policisë duke thënë se SHÇBA punon vetëm, por edhe bashkë me strukturat e policisë, ndaj sipas tij, identifikimi i atyre që nuk kryejnë detyrën provon seriozitet.
“Nuk e di këtë. Sigurisht që SHÇBA punon vetëm, por edhe bashkë me strukturat e policisë. SHÇBA ndërhyn dhe duhet të keni parasysh se një ndër masat dhe mënyrat e ndjekura nga ne për ta goditur fenomenin ka qenë dhe goditja e personave të padenjë brenda policisë.
Kur angazhohet SHÇBA, sigurisht që identifikohen dhe punonjës që nuk kanë kryer detyrën me veprime apo siç ndodh shpesh me mos veprime apo mos angazhime. Gjithsesi janë raste të shkëputura që provojnë seriozitetin tonë dhe që i përdorim të gjithë instrumentat për ta luftuar këtë fenomen se është mallkim për vendin tonë që ka prodhuar krim dhe po nuk e çrrënjosëm thellë, ne nuk e kemi bërë punën”, tha Lleshaj.(A.M/Faxweb.al)