Gazetari i kronikës Sokol Dema, i ftuar në studion e lajmeve të televizionit FaxNews, ka hedhur dritë mbi ngjarjet e aktualitetit kriminal në vend, të cilat kanë qenë të shumta gjatë kësaj jave që po lëmë pas. Dema u ndal fillimisht tek atentati me tritol që iu bë Preng Gjinit në një nga lagjet më të populluara të kryeqytetit dhe pikërisht tek ura e Nsherakut. Sipas gazetarit pjesa metalike e motorit që ndante shenjestrën e atentatit me vendin ku ndodhej eksplozivi është faktori kryesor që Preng Gjini është sot i gjallë. Për sa i përket pistave të hetimit dhe autorëve të dyshuar, gazetari bën me dije se po punohet për identifikimin e një automjeti pa targa, i cili është larguar me shpejtësi në momentet e shpërthimit. Duke qenë se kemi të bëjmë me një shpërthim të telekomanduar kjo makinë ka elementë të dyshimit të arsyeshëm për t’i shtyrë prokurorët të hetojnë në këtë pistë.
“Pronari i këtij automjeti ka qenë me shumë fat që nuk e ka drejtuar në momentin e shpërthimit. Me shumë fat është gjithashtu dhe 51-vjeçari sepse po të ishte në krahun e pasagjerit në mënyrë absolute, siç e pohon dhe ekspertiza por edhe burimet tona garantojnë që nuk do të kishte shpëtuar. Shpërthimi ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe gjithçka çfarë atë e ka shpëtuar është pjesa metalike e motorit që ka ndarë trupin e tij me vendin ku ishte vendosur tritoli. Kjo duket se e ka ndihmuar të jetojë me probleme të shumta i plagosur por të jetojë.
Hetimet kanë vijuar këto ditë megjithëse ka shumë pak materiale që mund të ndihmojnë për kapjen e autorëve të ngjarjes. Deri në këto momente ka disa të shoqëruar të cilët janë lënë të lirë pasi nuk prova për të implikuar ndonjërin prej tyre. Ka dyshime që në zonën ku ka ndodhur shpërthimi është një pamje e Bashkisë Tiranë e cila mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Shpërthimi ka qenë i telekomanduar, dyshohej fillimisht për tre automjete, dy prej tyre kanë arritur të identifikohen dhe kanë rënë si pista. Një automjet i tretë ka qenë pa targa dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në momentin e shpërthimit. Këtu duket se po përpiqen për të patur një argument më të plotë për të zbuluar se kush janë dhe pse janë, por akoma është në harkun e dyshimeve”.- tha gazetari Dema. (F.M/Faxweb.al)