Partia Socialiste ka dorëzuar sot (18 shtator), në mbledhjen e Këshillit Politik propozimet e saj për ndryshimet në kodin zgjedhor, për pragun kombëtar, listën e kandidatëve dhe koalicionet zgjedhore.
Sipas PS-së, listat do të jenë 100% të hapura, por kandidatët, do të jenë renditur nga kryetari sipas preferencës së tij, preferencë e cila do të jetë përcaktuese kur të shpallet lista e deputetëve fitues.
Gazetari Enton Abilekaj e ka cilësuar si ‘manovër të pisët’ këtë veprim të mazhorancës, duke theksuar se kemi të bëjmë me një metodë autoritare të zgjedhjes së kandidatëve për deputet.
Abilekaj shtoi se listën e kandidatëve për deputet do ta bëjë kryetari i partisë dhe renditja në listë mund të ndryshohet vetëm nëse një nga kandidatët merr më shumë vota se numri mesatar i votave që ka marrë partia për të marrë një deputet.
“Listat nuk do të jenë të hapura, por duhet që mos të lejohen koalicionet. Kjo është një manovër e pisët që të ndërhyjë në zgjedhje mazhoranca për ta përshtatur kodin sipas interesit të vet.
Kur u bënë ndryshimet kushtetuese, u la mundësi që listat do të jenë të hapura, u duk sikur pavarësisht manovrave do të përfitohej një ndryshim demokratik për zgjedhjet. Sepse listat e hapura në vetvete janë demokratizim i zgjedhjeve, sepse njerëzit mund të zgjedhin kandidatët që duan. Ky demoktarizm u përshëndet pavarësisht se ishte një ndryshim i njëanshëm.
Mënyra sesi implementohet ka shumë diskutime. Sot po shohim që nuk ka qenë fare demokratizim. Që Edi Rama me demokracinë nuk ka asnjë lidhje. Kemi një metode autoritare të zgjedhjes së kandidatëve për deputet. Listën do ta bëjnë kryetari i partisë, renditjen në listë. Dhe renditja në listë mund të ndryshohet vetëm nëse një nga kandidatët merr më shumë vota se numri mesatar i votave që ka marrë partia për të marrë një deputet.
Pse kjo është një manovër e pistë?
Llogarsim që një forcë politike merr 20 deputetë në Tiranë me 200 mijë vota. Pra numri i votave që i është dashur kësaj force për një deputet është 10 mijë. Në renditje ai që është i 21-ti mund të hyjë në 20-tshen fituese vetëm nëse ka marrë 10.001 vota. Nëse i 20-ti ka marrë 0 vota si person dhe 21-ti ka marrë 10 mijë vota fiks ai mbetet jashtë parlamentit. Kjo është listë e kryetarit nuk është listë e hapur, kjo është diktaturë nuk është demokraci. Ky ëshë mashtrim i madh që i bëhet popullit. Është një mashtrim i pastër nuk e lejon popullin që të zgjedhë.”- tha Abilekaj.