Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur pas mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në selinë e PS-SË, ku pranoi se ai nuk është i kënaqur as me punën e tij, jo më me ata që drejtojnë në rrethe.
“Vazhdojmë të përforcojmë marrëdhënien e institucioneve të pushtetit qendror me atë vendor. S’jam i kënaqur me punën time jo më me drejtuesit e qarqeve. Duhet të jemi në punë për të forcuar marrëdhënien e qytetarëve me institucionet”, u shpreh Rama.
I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës së bashkuar për hapjen 100% të listave, Rama tha se kjo nuk ishte një çështje e tagrit të tij.
“Është në tagrin e grupit që merret me reformën zgjedhore”, u shpreh R ama, kur në fakt të gjithë e dinë fare mirë që Damian Gjiknuri apo Oerd Bylykbashi janë në këshillin politik, apo në grupin e Reformës Zgjedhore pikërisht si përfaqësues të partive të tyre politike.
Prej ditësh opozita brenda dhe jashtë parlamentit është shprehur kundër propozimit të Damian Gjiknurit për hapjen e listave, që në fakt do të mbeten sërish në vullnetin e kryetarëve të partive, sipas socialistëve. Ata parashikojnë që renditja e kandidatëve të jetë vullnet i kryetarëve të partive.
(E.K/Faxweb.al)