Inceneratori i Tiranës dhe ai i Fierit i kanë marrë fondet buxhetore sipas planeve të parashikuara në kontratat koncensionare me qeverinë, por realizimi i investimeve me fondet e veta nuk ka ecur sipas kontratës. Për rrjedhojë miliona euro ta paguara nga taksat e shqiptareve nuk do të përkthehen në shërbime të përmirësuara, arsye pse u dhanë këto kontrata.
Ministria e Financave ka njoftuar se pagesat për inceneratorin e Tiranës në vitin 2018 dhe 2019 janë përkatësisht 977 milionë lekë për secilin vit sipas planit, por nga ana tjetër investimet, pjesa më e madhe e të cilave duhet të ishin bërë nga fondet e vetë kompanisë, nuk kanë vijuar me planin.
Vlera faktike e investimit kapital për vitin 2018 ka qene vetëm 20 për qind e vlerës së planifikuar në planin e biznesit. Ndërsa vlera e investimit kapital për vitin 2019 ka shënuar 526,2 milionë lekë ose vetëm 10 për qind e planit në kontratë.
Sipas kontratës kompania Integrated Energy duhet të investonte në vitin 5,9 miliardë lekë me 2019, nga të cilat më shumë se 5 miliardë lekë duhet të ishin nga fondet e kompanisë dhe afërsisht 1 miliardë lekë pagesa nga buxheti. Por kompania nuk ka arritur të azhurnojë në investime as pagesën e marrë nga buxheti (shteti ka paguar sipas planit 725 milionë lekë, ndërkohë që investimet totale të atij viti ishin vetëm 526 milionë lekë, nga 5.9 miliardë lekë që ishte kontrata-shiko në fund tabelat zyrtare të Ministrisë së Financave).
Për periudhën 2018-2019, sipas kontratës duhet të ishin investuar 11,4 miliardë lekë, por janë investuar vetëm 1,6 miliardë lekë ose rreth 12 për qind planit.
Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve Tirane (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 39 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues do të jetë rreth 550-800 ton/ditë. Nga kjo shume 17 miliardë lekë parashikohen investime.
Një situatë e ngjashme është edhe në inceneratorin e Fierit, ku buxheti i ka bërë kompanisë pagesa vjetore prej 752 milionë lekë, sipas planit në kontratë. Sipas parashikimeve, ndërtimi dhe vënia në funksionim e impiantit do të përfundonte në muajin Shtator 2019, por ndërkohë impjanti ende nuk ka përfunduar.
Impiantet e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet metodës së incinerimit që do të ndërtohen nëpërmjet koncesioneve me Partneritet Publik -Privat, në qytetet Elbasan, Fier dhe Tiranë kanë marrë deri më tani me 5.7 miliardë lekë ose 47 milionë euro financime nga buxheti i shtetit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Financimet përfshijnë periudhën 2017-2019, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti parregullsi në pagesat e thesarit për këto objekte.