Komisioni Europian pritet të investojë 20 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Prioritet do të jenë lidhjet e ekonomive të Ballkanin Perëndimor dhe paketa do të paraqitet sot para Komisionit Europian nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime”, thuhet në dokument.
Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët.
Varhelyi do paraqesë Paketën e Zgjerimit 2020 dhe Planin Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe pas vlerësimit të Komisionit të reformave të lidhura me BE në secilin vend të zgjerimit, raportuesit e Komisionit do të hartojnë raportet e vendeve, duke përshkruar përfundimet dhe rekomandimet e Parlamentit.
Financimi i Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor do të formësohet nga Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA III) që duhet rënë dakord.