Një vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Himarë. Fax News raporton se është ekzekutuar me armë zjarri ndërtuesi Niko Goro.
Ngjarja ka ndodhur rrëth orës 9 të mengjesit të sotëm, teksa biznesmeni ishte para supermarketit të motrës së tij në Himarë.
Mësohet se biznesmeni është qëlluar nga një furgon në të cilin ndodheshin 4 persona. Një nga këta persona ka dalë nga furgoni dhe ka qëlluar në drejtim të biznesmenit duke e lënë të vdekur.
Po ashtu ka mbetur e plagosur motra e tij në këmbë, e cila është jashtë rrezikut për jetën.
Niko Goro është kushëri i kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, dhe njihet si biznesmen në fushën e ndërtimit.
Pista paraprake e hetimit është ajo e ndonjë konflikti të mundshëm pronësie, për shkak të aktiviteteve të biznesmenit Goro në fushën e ndërtimit.
Viktima është baba i dy fëmijëve, rreth 45-vjeç. Nga detajet e para mësohet se biznesmeni është qëlluar me 5 plumba.
Blutë e Himarës kanë marrë në pyetje disa persona që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, teksa janë sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve të zonës, që mund të kenë fiksuar momentet e ngjarjes dhe lëvizjet e autorit.
Policia e Himarës ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm ku është ekzekutuar me armë zjarri biznesmeni Niko Goro.
Policia njofton se rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë, nga një person ende i pa identifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi Niko Goro, 51 vjeç. Si pasojë është plagosur lehtë në këmbë edhe shtetasja E. Q., 57 vjeçe, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Vlorë.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(M.Q/Faxweb.al)